Sarandë, u kap në flagrancë teksa transportonte 11 emigrantë, arrestohet 46-vjeçari

Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit, me mbështetjen e inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Eleven”.

Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të këtij operacioni, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan shtetasin Gj. Sh., 46 vjeç, banues në Shkodër.

46-vjeçari u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Sarandës, teksa transportonte kundrejt fitimit, me një automjet furgon, 11 emigrantë, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.