Sarandë, dogji zyrën e noterit të arrestuar, 2 vjet e 8 muaj burg për 42- vjeçarin Marjo Sinanin
Gjykata e Sarandës ka dënuar me 2 vjet e 8 muaj burg Marjo Sinanin, 42- vjeçarin e akuzuar për djegien e zyrës noteriale të Aleko Anagnostit, ngjarje kjo e ndodhur në 6 qershor të një viti më parë.
Ky i fundit ishte arrestuar vetëm 5 ditë para ngjarjes me urdhër të Prokurorisë së Sarandës për akuzën e shpërdorimit të detyrës, së bashku me zyrtarë të ASHK dhe Bashkisë. Ata u akuzuan për tjetërsim trojesh në Sarandë, një dosje që pritet së shpejti të shkojë për gjykim.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Sinanit i ishin premtuar 400 euro për djegien e zyrës së noterit, por që nuk arriti t’i merrte edhe pse e kreu punën. “Më datë 05.06.2022, diku nga darka nga larg më ka thirrur shtetasi me emrin “Vidi” dhe pasi jemi takuar “Vidi” më tha që ta ndiqja në mënyrë që të më tregonte se ku ndodhej zyra e noterit.
Ky shtetas më ka dhënë çelësin e zyrës së noterit, një bluzë të zezë me kapuç, një palë tuta, dy doreza me ngjyrë të zezë dhe dy bidona të vegjël me benzinë. Më pas ky shtetas është larguar duke më thënë se pasi të kisha mbaruar punën do vinte të më jepte eurot” ka deklaruar Sinani para policisë.
“Rezultojnë të djegura vetëm materiale shkresore, të cilat gjendeshin në zyrën e noterit Aleko Anagnosti dhe të cilat mund të kenë qenë objektivi i personit që ka nxitur dhe udhëzuar shtetasin Marjo Sinani” citon organi akuzës.
Gjyqtarja Suela Xhani në përfundim të gjykimit e dënoi të pandehurin me 4 vite burg për “shkatërrim të pronës me zjarr” kryer në bashkëpunim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, me 2 vjet e 8 muaj burg.