Çaste lumturie

Nga Josif Papagjoni

Dje, datë 14 prill 2023, në Galerinë e Arteve Sarandë u bë promovimi i librit tim “Fluturimi i bletës – SARANDA”. Kam shkruar 30 e kusur libra, por ky, s’e di pse, sikur është më pranë zemrës sime. Dhe m’u bë ca më shumë i tillë teksa njerëzit më nderuan, mbushën galerinë dhe u shmalla.

Sikur u riktheva me velierën e kujtimeve aty ku udha ime kishte nisur shtegtimin. Vitet ikin, koha hedh rrebesh mbi ne, plakemi, disi edhe përhumbemi në hallet tona, por respekti, vlerësimi, nostalgjia, dashuria, solidariteti, mbeten. Ja, këto përjetova mes miqve të shumtë që më kishin ardhur.

Dhe u ndjeva i lumtur. U ndjeva i lumtur nga përqafimet. U ndjeva i lumtur nga folësit, Xhorxhi Vasili, mësuesi dhe miku im; Sofo Thomari, agronomi, drejtori i dikurshëm i NB Vurgut dhe dijetari i tokës; Anastas Gurma, ish ushtaraku i lartë, krenari e Sarandës, Bregdetit; Kristo Kauri, inxhinjeri-poet që di se ç’është bima, gjethja, pylli, blerimi; Thoma Nika, gazetari i mirënjohur, një menazher i lindur, me dy telefonat e tij si dy zyra promovuese e bashkërenduese; Bardhyl Maliqi, shkrimtar, studiues, poet, me elokuencën e vet të njohur; Fehmi Sinani, me humorin e jashtëzakonshëm dhe mendjen e shkathët; Mira Birjani, gjitonia dhe kolegia e dikurshme, një nga gratë që kanë emancipuar mjedisin social të qytetit.

U ndjeva i lumtur me dy moderatorët e këtij promovimi, Vangjel Agorën, aktorin dhe regjisorin, mikun tim, i përkushtuar tok me mua për t’i dhënë hapësirë paraqitjes së librit, si dhe Ermir Hoxhën, me atë zërin e tij të thellë, të ngrohtë dhe emocional në interpretimin e disa prej fragmenteve të përzgjedhura nga ky liber.

U ndjeva i lumtur nga ai përkujdes thuajse vëllazëror i piktorit të shquar sarandiot, Lefter Çeko, drejtorit të galerisë, që ku të ma bënte e si të ma bënte që çdo gjë të shkonte mbarë e bukur; u ndjeva i lumtur nga miqtë që më kishin ardhur, emra të njohur të punës, kontributeve dhe suksesit si Vasil Anagnosti, Skënder Bajrami, Miço Xhaferri, Thanas Dino, Çapajev Zera, Vladimir Kumiu, Halil Shabani, Irena Gjoni, Shkëlqim Hajno, Vasil Kaçi, Mirosh Birjani, Spiro Thomari, Bardhyl Bejko, Panajot Zoto, Petro Xhavarra, Vasilika Habilaj, Nasho e Vangjel Xhani, Pranvera Bejleri, Flamur Oruçi e shumë të tjerëve, kërkoj ndjesë për emrat. U ndjeva i lumtur mes sarandiotëve, njerëzve të thjeshtë të punës, të vlerave qytetare. Ju më gëzuat miqtë e mi!

Por unë u ndjeva posaçërisht i lumtur dhe i vlerësuar nga prania dhe fjala përherë elokuente e kryetarit të Bashkisë, Adrian Gurma, si “qytetari i parë” i Sarandës, qytetit ku kam frymë, rrënjë e degë, me ligjërimin e tij të bukur, sqimën që ai ka, vlerësimin që i bën artit, mepatjetër edhe me mbështetjen e botimit të këtij libri.

S’kam pse ta fsheh që më nderoi me pjesmarrjen e saj deputetja e Sarandës, ish ministrja e financës, Anila Denaj, një grua dhe politikane për të cilën kam respekt të thellë për dijen, personalitetin, integritetin intelektual dhe fuqinë mbushamendëse të argumentit, asset i vyer i partisë ku militon; më nderuan edhe miq të ardhur të karrierave politike të qytetit, sikundër Oltion Caci, kandidati për kryebashkiakun e ri.
Të gjithëve ju, miqtë e mi: FALEMINDERIT!

Po pse “Fluturimi i bletës – SARANDA”. Sepse doja që metafora e bletës t’i rrinte librit përsipër si krahët e saj tek fluturonte për të sjellë mes germave “nektarin” e qytetit shpërndarë andej-këndej rrugëtimit, duke i dhënë kujtesës shpengimin historik përballë shifrave të rrepta, njerëzve, parashtrimeve kronologjike.

Historia është e pamëshirshme, ajo rropos tempuj, shuan rrëfenja, mite e jetë rrëqethëse njerëzish, histori institucionesh, etnish. Shqiptarët kanë pasur kujtesë të shkurtër. Prej mijëravjeçarëve kanë mbetur ndoca shenja e murana, që dekriptohen me vështirësi.

Në kohët moderne kujtesa triumfon ndaj harresës jo thjesht me rrëfimet dhe pergamenat, me germat dhe simbolet, me reliktet, statujat, mitet, muzetë, imazhet dhe kompjuterat, por dhe me librat, bedenat e të cilit janë të patejkalueshme. Libri ka mbetur ende “Perandori” i dijes.
Fluturim të lirshëm “bleta” ime!…

I tha Zoti njeriut: Mbushe valixhen dhe ec! Dhe njeriu e mbushi valixhen dëng me veten e tij. Dhe eci e eci rrugës së jetës. U plak. U lodh. Dhe vdiq. Kur doli para Zotit, ky i foli: Hape! Njeriu e hapi valixhen, por aty s’kishte kurrgjë. Fundi i saj qe i hapur. Pse Zot, shqeu sytë njeriu, unë e mbusha gjithë jetën me hallet e mia, me gëzimet e mia, me brengat, familjen dhe fëmijët e mi, me paratë që fitoja dhe kamjen time. U robtova.

Ku shkuan të gjitha? Zoti e pa në sy dhe i tha: U bën hiç si ti! Gjithë jetën e mbushe atë valixhe për veten dhe me veten, asgjë tjetër s’ke aty. Merr e rrëmbe, ha e gëzo veçse për mishin, prandaj t’i hoqa. Bosh ajo e bosh ti, s’je veçse një bjerrakohës. Këtu mund të vish vetëm nëse valixhen e mbush me të “tjerët” dhe për të “tjerët”…
Dhe njeriun e zuri ngashërima. Kot të gjitha, kot, u pendua ai për çfarë kishte bërë në jetë. Por qe tepër vonë. Toka u ça dhe atë e gëlltiti humnera..