Arben Çipa: Të investohemi diplomatikisht me polakët, janë turistët më të qëndrueshëm
Turistët polakë mbajnë flamurin e grupit me rritjen më të madhe ndër vite dhe janë pjesë e turizmit të organizuar në vend. Duke qenë një grup i qëndrueshëm, i cili i përshtatet më shumë stadit ku ndodhet turizmi vendas aktualisht, ndoshta marrëdhënia mes dy vendeve duhet të shihet më me vëmendje.
Të paktën kështu mendon Arben Çipa, administrator i “SIPA Tours” duke nënvizuar se ky investim diplomatik e politik do të ishte një vulosje e bashkëpunimit më intensiv mes dy vendeve.
Turistët polakë, sipas tij, janë në rritje nga viti në vit dhe kanë kohë-qëndrimin më të gjatë në bregdet, duke e kthyer atë në një grup të rëndësishëm.
Ka një tërheqje të nordikëve nga kontratat me garanci? Ju pse mendoni se ka ardhur kjo?
Agjencitë ndërkombëtare që menaxhojnë tregun e tyre janë të vjetra dhe me nuhatje.
E monitorojnë terrenin dhe mendoj se e kanë kuptuar që kanë mundësi qoftë kontrata me garanci, apo edhe me formën “paguaj sa sjell”, të sigurojnë kapacitet.
Kjo i liron ata nga barra e garancisë dhe mendoj që është një nga arsyet, përpos të tjerave, që ndoshta i kanë parë si element në vendim.
Si e vlerësoni në tërësi sezonin e këtij viti në shifrat që ka regjistruar për prurjet turistike?
Sezoni ishte i mirë nëse shohim shifrat. Në aspektin ekonomik prurjet ishin si në vitin 2019, i cili ishte më i miri historik për sektorin, ndoshta dhe 15 për qind më tepër.
Këtë vit sektori kishte qarkullim më të madh, por në fitim nuk pati ndonjë rritje.
Nëse nuk do të ishin këto fenomenet që solli pandemia, rritja e çmimeve dhe lufta Rusi-Ukrainë, mendoj se fitimi do të ishte 30% më i lartë se në 2019-n. Ai ka shkuar te kostot që janë rritur po kaq.
Cilat janë grupet që ju i shihni si potencialë për turizmin në vend, por edhe për Sarandën në veçanti?
Nisur nga ajo që pamë këtë vit, të paktën për Sarandën, mendoj se spanjollët si të organizuat, si individual, janë një treg i ri dhe me potencial. Shifrat e rritura të 2022 bënë që të vendosen edhe charter për në vijim.
Duhet ta konsiderojmë si një prurje me potencial rritjeje. Surprizë sidomos në Jug të vendit, me në qendër Vlorën dhe Sarandën, kanë qenë italianët. Ka pasur një numër të konsiderueshëm turistësh dhe cilësorë madje në lidhje me shpenzimet.
Si e gjykoni në tërësi cilësinë e shërbimit gjatë sezonit turistik të këtij viti?
Mendoj se është bërë maksimumi me mundësitë që kemi në shërbim, por sigurisht kjo nuk është më e mira. Ka disa hallka që lidhen me stafin dhe përgatitjen e tij, duke i trajnuar që përpara sezonit dhe në shumë raste, mungesat e forcës punëtore sjellin bizneset të sajohen në moment të fundit, duke mos pasur mundësi ta përgatisin siç duhet.
Këtë verë bizneset e kishin të vështirë të gjenin staf dhe kjo çështje do të jetë pandemia e re e Shqipërisë. Po ikin një pjesë e mirë e rinisë drejt Europës dhe nuk po shkojnë në një punë të sigurt apo në një adresë të caktuar. Janë të rinj që duan të eksplorojnë dhe të shohin mundësitë e tyre dhe çfarë do të arrijnë të sigurojnë.
Po sa i takon produktit turistik që ofroi Saranda këtë verë, cila është përshtypja që keni marrë nga turistët?
Saranda është konsoliduar në të gjitha drejtimet sa i takon ofertës turistike. Industria detare ka marrë një vëmendje jo të vogël nga turistët, sidomos sa u takon tureve ditore në gjire apo atyre të mbrëmjeve me muzikë në bordin e anijeve. Është një përvojë unike për ta, funksionon shumë mirë dhe zgjidhet nga çdo kategori klienti.
Një tjetër produkt që ka interes është ai i turit Jeep Safari, i cili bashkon shumë përvoja në një të vetme. Është një nga guidat që s’ka ndryshuar dhe njeh vetëm rritje. Itinerari i një dite të plotë përfshin shëtitjen përgjatë rivierës, fshatin Pilur, 900 metra mbi nivelin e detit, disa orë plazh.
Në këtë trekëndësh, turistit i jepet mundësi të prekë një zonë rurale, një fshat tipik, natyrën dhe jetën e njerëzve në shtëpitë e tyre të cilat janë mikpritëse dhe të ofrojnë një pamje të qartë të traditës së kësaj zone.
Turisti ka mundësi të prekë gastronominë e zonës, ushqimin e gatuar në shtëpi, të njihet me polifoninë, traditën kulturore dhe pasurinë që lidhet me pjesën fetare, të vizitojë kala e muze. Në këtë guidë jepet tipologjia e plotë e një krahine, e cila është unike dhe përmbledh dy zona të ndryshme, bregdetin dhe Labërinë dhe gjatë një dite shijohet e gjitha.
Tashmë jemi në vjeshtë, si ka qenë ecuria e turizmit në këtë periudhë pasi për Sarandën pati pritshmëri për një zgjatje të sezonit më shumë se vitet e tjera?
Deri në fund të muajit shtator patëm prurje të konsiderueshme të përjavshme. Në tetor, në Sarandë, mund të shihje kroçera me 800 pasagjerë të cilat qëndronin në qytet për 24 orë. Kjo tregon që sezoni, edhe pse jo në ritmet tipike, ende është i pranishëm.
Cilat janë pritshmëritë tuaja apo rekomandimet që do të jepnit në mënyrë që viti tjetër të jetë më i mirë?
Për vitin tjetër mendoj se qeveria duhet të gjejë formulën për të rritur bashkëpunimin me tregun polak, ose përmes kanaleve diplomatike, ose përmes investimit në nivel politik. Duhet të kemi një angazhim më të madh dhe një zyrtarizim të kësaj marrëdhënie, pasi tregu polak na ka shpëtuar në ditë të vështira dhe të mira, është më i qëndrueshëm dhe me rritje 30-40 për qind.
Është gjithashtu tregu më pak problematik për Shqipërinë dhe na shkon më për shtat për nivelin ku jemi sa i takon shërbimit. Ka numrin maksimal të turistëve, ndër grupet e organizuara dhe po kështu të ditëve të operimit.
Një tjetër aspekt që dua të ndalem është ai që ne kemi propozuar prej 10 vitesh dhe nuk ka asnjë angazhim për ta zbatuar, i cili lidhet direkt me cilësinë e shërbimit.
Nëse ne duam të jemi një destinacion turistik me shërbim cilësor, duhet të mbajmë dhe të trajnojmë punonjësit e sektorit. Duhet të zbatojmë skemat e vendeve të tjera për ta ruajtur këtë staf nga largimi, duke e trajtuar si aset.
Vende të tjera, jashtë sezonit turistik, i ofrojnë këtij stafi ndihmë ekonomike. Një pagë e cila e mbështet atë për nevojat që ka jashtë muajve të sezonit të verës, kur nuk ka një pagesë.
Është një formulë e gatshme, që ka treguar se funksionon dhe duhet të jetë një bashkëpunim i biznesit me qeverinë, që ta ndajnë bashkë këtë detyrim. Pavarësisht kostos ekonomike, garanton turizëm më cilësor nga një staf i kualifikuar./ Monitor