Alibeaj në Delvinë: Kjo PD, e vetmja pa probleme me korrupsionin dhe Drejtësinë

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj vuri në dukje sot gjatë takimit me strukturat e PD-së në Delvinë, angazhimin e PD-së për t’i dhënë frymëmarrje kësaj bashkie.

Sipas tij, sot mazhoranca ka pushtetin qendror dhe lokal dhe nuk do t’ia dijë për Delvinën dhe delvinjotët.

“E pra, ky është dallimi i madh dhe kryesor midis demokratëve realë, patriotëve realë dhe disa njerëzve që shohin politikën e tyre vetëm për interes, vetëm për ta mjelë. Ky është dallimi që kemi ne me pjesën tjetër të shoqërisë. Këta janë demokratët e vërtetë”, u shpreh ai.

Ai tha se, këto zgjedhje nuk janë aspak normale. “Janë anormale për faktin se 4 vite më parë ne nuk morëm pjesë në zgjedhje dhe rezultoi një lëvizje e gabuar, sepse i gjithë pushteti qendror, por dhe ai lokal, ra në dorë të së majtës, në dorë të Edi Ramës. E keni kuptuar shumë mirë se cili ka qenë qëndrimi i Edi Ramës jo vetëm ndaj pushtetit lokal, por gjithë shqiptarëve. Plaga e madhe e shpopullimit ka prekur të gjithë Shqipërinë, jo vetëm Delvinën. Dhe kjo plagë e madhe e shpopullimit ka prekur brezin e ri, rininë. Dhe në fakt është një nga mëkatet më të mëdha që i bëhet një populli të tërë. Mëkat që ndodh sot, por efektet e veta i jep dhe për shumë vite më pas”, u shpreh Alibeaj.

Ai tha se PD po sulmohet nga treshja Berisha-Meta-Rama pasi zgjodhën të ndahen e të ofrojnë alternativë jashtë korrupsionit.

“Aleatët tanë, Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar, amerikanët, janë me atë parti në Shqipëri e cila nuk ka hije korrupsioni me vete. Me Ramën? Po me Ramën e mbani mend para 10 ditësh se çfarë i tha përfaqësuesi i qeverisë? Tha se unë nuk flas për çështjen McGonigal, se atje ka një hetim penal. E pra, ka një hetim penal do të thotë ku është i përzier dhe Rama. Dhe nuk kam lidhje fare tha, edhe me nongrata-t. Të vetmit, të cilët nuk kemi asnjë lloj problemi ne, as me korrupsionin dhe as me drejtësinë është kjo Parti Demokratike ku jemi të gjithë ne këtu. Dhe kemi mbështetje prej tyre dhe unë besoj që kur futesh në zgjedhje, duhet të jesh pikërisht i tillë, të rrethohesh nga aleatë, të rrethohesh nga njerëz që të besojnë, të rrethohesh edhe nga aleatët tanë strategjikë. Ndaj, në këtë pikë, pavarësisht se nuk kemi dalë me kandidat për kryetar bashkie, por kemi këshillin tonë, kemi përfaqësuesit tanë në këshill”, deklaroi Alibeaj.