Ujësjellësi i ri, Balluku e Kumbaro në Gjirokastër: Furnizim 24 orë, rrjet i ri modern (VIDEO)
Gjirokastra, e cila që në vitin 2005 është përfshirë në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është futur në hartën e qyteteve që furnizohen me ujë 24 orë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro inspektuan ujësjellësin e ri të Gjirokastrës.
Rrjeti i këtij ujësjellësi ishte i ndërtuar në vitet 1940, ndërsa ujësjellësit ishin ndërtuar në vitet ’67 duke krijuar humbje teknike të larta në rrjet.
Nga ana e saj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit bëri të ditur se ky ujësjellës nuk do t’i shërbejë vetëm 30 mijë banorëve të zonës dhe bizneseve, por edhe turistëve. Ajo informoi se numri i vizitorëve arriti në 220 mijë gjatë vitit 2022.
“Nuk imagjinohej që një qytet turistik si Gjirokastra të bënte turizëm duke mos pasur ujë“, tha ajo.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Klevis Jahja bëri të ditur se sot Gjirokastra furnizohet pa ndërprerje me ujë, kur me parë furnizohej 1-4 orë, ndërsa është investuar edhe në 30 km rrjet shpërndarjeje, si dhe janë vendosur 5600 matësa, duke e çuar në total në 10 mijë numrin e abonentëve të pajisur me matësa në qytet.
Zv/kryeministrja tha se një nga problematikat e hasura nga ujësjellësit është kostoja nga energjia, dhe se ngritja e paneleve diellore për të furnizuar me energji ujësjellësit është një nga sfidat.
Ajo foli dhe për reformën e re në sektorin e ujësjellësve. “Tashmë qeveria mban 51 % të aksioneve të çdo ndërmarrje të agreguar. Me ata që kanë nisur funksionin, si Korça, ka një eficiencë financiare dhe teknologjike shumë të lartë“, tha Balluku.