Tryezë për brandin dhe infrastrukturën e marketingut të destinacionit turistik Saranda
Ndërkohë që sinjalet e para të sezonit turistik “Verë 2023” janë dhënë, aktorë të rëndësishëm të turizmit janë takuar në një tryezë prezantimi dhe diskutimi.
Në fokus ishte brandi dhe infrastruktura e marketingut me të cilën duhet të kompletohet destinacioni turistik Saranda, përfshirë Ksamilin.
Gjithçka u organizua si një konkretizim më shumë i partneritetit mes Bashkisë së Sarandës, Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bankës Botërore dhe Iceberg, në kuadër të projektit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik”.
Pas prezantimit të iniciativës së krijimit të partneriteteve për menaxhimin e destinacionit turistik Saranda, nga konsulentja e FSHZH A. Sejko, të pranishmit ndoqën me interes eksperten e Turizmit N.Popa, e cila solli argumenta mbi përfitimet e krijimit të Brandit të ri Turistik i qytetit të Sarandës. E.Mato, në cilësinë e drejtores së Drejtorisë së Turizmit në Bashki, shpjegoi se Brandi i ri dhe sllogani i saj “Live and Love” (Jeto dhe Dashuro), përfaqëson jo thjesht një zgjidhje grafike, por një imazh që jep ndjesi dhe identitet për Sarandën, shoqëruar me brendi.
Paraqitja grafike e brandimit, u pëlqye nga të pranishmit për simbolikën e gjetur dhe imazhin domethënës. Operatorët e pranishëm dhe gjithë të tjerët, u ftuan për t’u bërë pjesë e promovimit të bizneseve të tyre, me foto, video e përshkrim, përmes aksesit në websitin, që projekti e ofron falas.