“Rezultati i PS në 14 Maj?”, Kumbaro: 7 bashkitë e qarkut Gjirokastër janë padiskutim fituese
Ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se të 7 bashkitë e qarkut Gjirokastër do të jenë fituese në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Në një lidhje direkte për Klan News, ministrja Kumbaro njëkohësisht edhe drejtuese e qarkut Gjirokastër është shprehur se është punuar çdo ditë qëkur kanë marrë votën e qytetarëve dhe për të, kjo është arsyeja pse beson që PD do të dalë fituese në këtë qark dhe në shumicën e bashkive të vendit.
Besard Jacaj: Si e shikon Partinë Socialiste në rezultatin e zgjedhjeve? Më duhet një numër.
Mirela Kumbaro: Më lejoni të jap një numër nga qarku që unë drejtoj. Unë drejtoj qarkun e Gjirokastrës që përbëhet nga 7 bashki. Në këto 7 bashki, ne kemi rikonfirmuar 6 prej kryetarëve të bashkisë. Kemi një kandidat të ri në Libohovë, një djalë të vendit me eksperiencë të gjatë në profesion, një familjar shumë të mirë, Leonard Hide, që vjen për bashkinë e Libohovës dhe i bashkohet skuadrës së kandidatëve të tjerë. Të 7 bashkitë e qarkut të Gjirokastrës janë padiskutim fituese të 14 Majit. Ne nuk themi që jemi fitues sot dhe nuk do të punojmë. Ne nuk e konceptojmë punën elektorale si një fushatë që fillon me x datë dhe mbaron me x datë. Ka qenë një punë çdo ditë qëkur kemi marrë votën dhe e vazhdojmë atë.
KANDIDATËT E PS-SË PËR QARKUN GJIROKASTËR
Gjirokastër- Flamur Golemi (rikandiduar)
Përmet- Alma Hoxha (rikandiduar)
Këlcyrë- Klement Ndoni (rikandiduar)
Tepelenë- Tërmet Peçi (rikandiduar)
Memaliaj- Gjolekë Guci (rikandiduar)
Dropull – Dhimitraq Toli (rikandiduar)
Libohovë – Leonard Hide