Rama sot në Athinë, hap ekspozitën me piktura, takim me Mitsotakin dhe Dendias
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një vizitë në Athinë të Greqisë, e cila do të zgjasë dy ditë, 20 dhe 21 mars.
Kreu i qeverisë pritet të hapë në Athinë një ekspozitë me pikturat e tij. Ndonëse jo një vizitë zyrtare, Rama do të zhvillojë takime edhe me disa përfaqësues të politikës për të diskutuar mbi marrëdhëniet mes dy vendeve.
Rama pritet të mbërrijë në Athinë në mesditë dhe do të zhvillojë një drekë pune me ministrin e Jashtëm grek Nikos Dendias. Në këtë takim do të jetë e pranishme edhe ministrja Olta Xhaçka, ndërsa një temë diskutimi mund të jetë edhe çështja e detit, pasi ende nuk është arritur konsensusi mes dy vendeve.
Me datë 20 pritet të hapet edhe ekspozita e Ramës në “Zapion Megaro”, në të cilën do të shoqërohet edhe nga homologu grek Kyriakos Mitsotakis, që më pas do të kenë së bashku edhe një darkë.
Takime pritet të ketë edhe me kryetarin e parlamentit helen Kostas Tasulas, si edhe me presidenten Kateriana Saqelaropoulu.
Në ditën e fundit të vizitës, më 21 mars, Rama do të marrë pjesë edhe në forumin ekonomik të Delfit.