Rama – sipërmarrësve: Nuk mund të paguani gratë që pastrojnë në Himarë e Dhërmi me 300 mijë Lekë e ata nga Filipinet me 1 mijë Euro
Në takimin me sipërmarrësit, Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje bizneseve që të rrisin pagat për punonjësit e tyre.
Në fjalën e tij, duke folur ndër të tjera për turizmin, tha se në zonat bregdetare si në Dhërmi e Himarë gratë që mirëmbajnë strukturat akomoduese nuk mund të paguhen me 30 mijë Lekë të reja, ndërsa punonjësit që marrin nga Filipinet i paguajnë me 1 mijë Euro.
“Sipërmarrësi shqiptar duhet ta kuptojë që nuk mund t’i japi gruas që pastron atje në Himarë e në Dhërmi 300 mijë Lekë sepse është nga vendi edhe pastaj marrin nga Bali edhe nga Filipinet dhe ju japin nga 1000 Euro.
Nuk mund të funksionojë kështu. Duhet që punonjësin shqiptar ta vlerësojmë si sytë e ballit. Ta ndihmojmë me çdo çmim sepse është ai që e bën.
Hiqini ato gratë që janë atje nëpër ato kaunterat aty dhe që hapin e mbyllin derën e dyqaneve dhe të zotit të kësaj nuk i funksionon më biznesi dhe i rrofshin miliardat”, tha Rama.