Rama për gazetën “Ta Nea”: Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi në nivel shumë të mirë, përkushtim për trajtimin e çështjeve
“Megjithëse një vepër arti që pasqyron marrëdhënien Shqipëri-Greqi do të ishte një objektiv mjaft i vështirë për tu realizuar nga një artist, këto marrëdhënie në ditët e sotme, po bëhen gjithnjë e më të mira pas një periudhe trazirash dhe unë besoj fort në potencialin e mahnitshëm të këtyre lidhjeve për të mirën e të dy kombeve”, theksoi kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën “Ta Nea”, në kuadër të vizitës së tij në Athinë, me rastin e hapjes së ekspozitës së tij personale “Improvizimet”.
“Arti nuk ndikon në politikë, është një jetë në një realitet tjetër, ndërsa politika është një betejë në realitetin e jetës sonë ”, i përgjigjet kryeministri shqiptar pyetjes nëse mund të ndikojë dhe ndryshojë politikën dikush me anë të veprave të artit, duke shtuar se: “Politikisht me Greqinë jemi në një nivel shumë të mirë, çështjet mes nesh trajtohen me përkushtim nga të dyja palët, me një mirëkuptim të përbashkët që ne duhet të zgjidhim dallimet tona dhe se askush tjetër nuk do ta bëjë për ne”.
Duke ju referuar vendimit për ankimim të përbashkët në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për zgjidhjen e çështjes së zonave detare, ai thekson se nuk ka mundësi që marrëveshja kornizë mes dy vendeve, e ashtuquajtur edhe si dokumenti i bashkëpremtimit, të dorëzohet para zgjedhjeve të ardhshme në Greqi.
“Ka një procedurë që duhet ndjekur dhe Tirana po ecën sipas hapave të parashikuara, me miratimin nga presidenti në fillim dhe më pas me fillimin e negociatave”, është shprehur ai, duke lënë të nënkuptohet se zhvillimet në këtë çështje do to vijnë pas zgjedhjeve të muajit maj në Athinë.
Në lidhje me problemet e pazgjidhura të minoritetit grek në Shqipëri si dhe të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi, Rama shprehu vlerësimin e tij se “gjithçka po shkon shumë mirë” duke rikujtuar edhe vizitën e homologut grek Mitsotakis në Shqipëri para disa muajsh.
Sipas Ramës ekspozita e tij e organizuar nga Ministria e Jashtme, kishte synim të evidentojë pikërisht marrëdhëniet në përmirësim të vazhdueshëm mes Athinës dhe Tiranës. Madje edhe në forumin ekonomik greko-shqiptar, u duk edhe njëherë – ka thënë ai- se sa të mira janë marrëdhëniet mes dy vendeve në planin politik, lidhjet ekonomike, por edhe hapësira që duhet tani e tutje për zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
Duke iu referuar aksidentit të trenit në Tempi, Rama foli për dhimbjen që ndjeu edhe populli shqiptar, ndërsa vuri në dukje edhe shpalljen e zisë kombëtare në vend në shenjë solidariteti me Greqinë, një lëvizje veçanërisht e rëndësishme për Athinën.