Mungojnë punëtorët në Gjirokastër, rritja e turistëve shton nevojën për shërbime
Zhvillimi i turizmit në Gjirokastër po e bën të domosdoshme punësimin e personave të kualifikuar në këtë sektor. Aktualisht qyteti i gurtë po përballet me një fluks në rritje të vizitorëve çka nxjerr si të nevojshme trajnimin profesional të tyre por edhe plotësimin nga të rinjtë të vendeve të reja të punës.
Përgjatë vitit të kaluar në shërbimet turistike në Gjirokastër u çelën rreth 220 vende të reja pune kryesisht si kamarierë, guida turistike, cicerone në muzeume etj. Sipas përfaqësueve të këtij sektori zhvillimi i një turizmi cilësor në vitin 2023 kërkon më shumë personel në numër por edhe trajnimin dhe kualifikimin e të punësuarve në bizneset turistike.
“Pati tendenca që edhe ti kualifikojnë njerëzit e rinj që morën në punë gjatë vitit të kaluar por gjithsesi vetëm në zonën historike dhe shërbimet në qytet ose përreth qytetit kishim gati 300 vende pune të lira ose nevoja për punësim, të cilat fatkeqësisht gjatë vitit të kaluar nuk u lidhën dot në rastin më të mirë qoftë edhe me universitetin që të kishim prurje prej andej.
Duhet që këtë vit të kemi një qasje tjetër dhe të kemi një edukim të orientuar nga puna sepse përndryshe do të kemi humbje edhe këtë vit”- tha Kristina Fidhi, administratore agjencie turistike.
“Meqënëse Gjirokastra ka potencial shumë të rëndësishëm që sa vjen dhe po shtohet vit pas viti turizmin, e ndjejmë të domosdoshme si për punonjësit në pjesën e turizmit trajnime të shumta por gjithashtu edhe për pjesën e të rinjve, sa mjë shumë trajnime, sa më shumë informime për pjesën e turizmit” – shtoi Vikiana Nakaj, guidë turistike.
“Sezoni po afron dhe ne kemi nevojën e një stafi le të themi të kualifikuar, dita-ditës po largohen personat që janë të aftë për ta kryer këtë punë dhe të rinjtë. Çdo vit e ndryshojmë stafin pasi shumica largohen për në Tiranë ose për shkollim ose për diçka më tepër dhe kemi nevojë për staf të kualifikuar” – tha ndër të tjera Eni Kaçi, administrator agjencie turistike.
Përgjatë dy muajve të parë të këtij viti, janar dhe shkurt, Gjirokastra ka mirëpritur rreth 5 mijë turistë vendas dhe të huaj.