Prefekti Mamaj vlerëson Adrian Gurmën, kritikon Dritan Lelin e Jorgo Goron

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj ka kritikuar bashkinë Vlorë dhe atë Himarë, pasi sipas tij nuk kanë marrë masa për sezonin veror.

Ne një takim me operatorët turistike, Mamaj vlerësoi punën ebashkise Sarande.

“Bashkia Sarandë është në normalitet të plotë për gjithë masat e marra për një sezon të mbarë turistik të kësaj vere”, tha Prefekti Flamur Mamaj,

I pranishëm ishte edhe ministri Blendi Klosi, i cili në një komunikim me gazetarët tha: “Politika e institucionit tonë ka qenë një politikë e vazhdueshme diskutimesh me qeverinë greke. Jam takuar personalisht me Ministrin e Turizmit në Greqi, isha dhe në Athinë ku patëm një takim zyrtar, pastaj vazhduam negociatat dhe Greqia ishte ndër të parat që e hapi kufirin për vendet si Shqipëria, mbas vendimmarrjes së BE, për të lejuar në mënyrë normale të gjithë pushuesit të vijnë drejt Shqipërisë. Besojmë se dhe situata e Korfuzit do të zgjidhet shumë shpejt, pasi nuk ka asnjë arsye pse të jetë e bllokuar, është pjesë e procedurave dhe besoj se do të kemi shumë shpejt një kufi të hapur me Shqipërinë. Por duhet ta pranojmë që dhe për vendet e BE por dhe për Shqipërinë, pandemia nuk është shuar, por vazhdon të jetë prezente. Prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të pranojmë dhe kushtet që operatorët turistikë të BE kanë”.

Kryetari i bashkisë Sarandë, Adrian Gurma, ndërsa falënderoi për takimin, u shpreh për masa serioze të marra për një sezon turistik të mbarë.

“Brenda bashkisë kemi ngritur taskë forcën për të ndjekur punën gjatë sezonit turistik. Janë angazhuar gjithë strukturat e bashkisë për menaxhimin e mbetjeve urbane. Janë ende kërkesa për plazhe. Ndërkohë që vija bregdetare është e lirë për të gjithë” u shpreh mes të tjerave kryebashkiaku Gurma.