Kumbaro: 83% e kapaciteteve turistike, të rezervuara për vitin 2023
Kjo ishte një javë e shënuar për turizmin shqiptar, falë prezantimit të shkëlqyer të Shqipërisë në panairin më të madh të turizmit ITB Berlin.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se, 83% e kapaciteteve turistike janë tashmë të rezervuara për vitin 2023 në Shqipëri.
“Kalendari i takimeve u shënjua nga pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama dhe takime te nivelit më të lartë me Kancelarin Scholz, me takimin dypalësh në stendën e Shqipërise me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili, takim shumë të ngrohtë e bashkëpunues me Sekretaren e Shtetit të Turizmit të Austrisë Susanne Kraus-Winkler, takime intensive me drejtues të lartë të biznesit të turizmit gjerman, italian, francez, austriak, gazetarë të mediave të rëndësishme ndërkombëtare shumë të interesuar për Shqipërinë si destinacioni më i ri në Europë që po tërheq vëmendjen e të gjithë sektorit, panele tematike për turizmin e qëndrueshëm, agroturizmin, turizmin kulturor, vizitorë të shumtë që populluan pa pushim Shqipërinë turistike në Berlin”, theksoi Kumbaro.
Sipas saj, prania e agjencive private turistike shqiptare, e turoperatorëve dhe përfaqësuesve të hotelerisë shqiptare, me stenda të veçanta të organizuara nga vetë shoqatat e sektorit të turizmit në këtë panair ishte pjesa edhe më rëndësishme e punës së kësaj jave.