Manastirliu: Pediatria e rehabilituar në spitalin e Sarandës, akses dhe cilësi shërbimi
Pas Maternitetit dhe Kirurgjisë, Pediatria e rehabilituar e Spitalit të Sarandës ofron sot kushtet më të mira për të gjithë fëmijët duke garantuar akses dhe cilësi shërbimi.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Pediatria e spitalit të Sarandës.
“Ekipi i përforcuar me mjekë të rinj të specializuar ofron sot shërbim me standarde bashkëkohore për fëmijët e kësaj zone, por edhe do t’i përgjigjet më mirë nevojave të turistëve të shumtë që frekuentojnë këtë qytet gjatë stinës së verës”, tha Manastirliu.
Qeveria shqiptare po fuqizon shërbimet në spitalet e zonave bregdetare, me investime në infrastrukturë, pajisje mjekësore moderne dhe mjekë të rinj specialistë, për zhvillimin e turizmit.
Në spitalin e Sarandës është investuar për maternitetin e ri, shërbimin e kirurgjisë, pediatrinë dhe laboratorin e ri modern.