KPK me dy qëndrime për prokurorin e Sarandës, Kledian Llaho
Prokurori i Sarandës, Kledian Llaho u konfirmua në detyrë më 22 dhjetor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i konsideroi bindëse shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij në kundërshtim të barrës së provës për balancën negative në kriterin e pasurisë, si dhe për konstatimet për figurën dhe profesionalizmin. Megjithatë, ai u konfirmua me shumicë votash bazuar në konkluzionet e arritura prej kryesuesit të trupës Olsi Komici dhe relatores Firdes Shuli. Anëtarja Xhensila Pine doli në pakicë, duke çmuar se Llaho duhej të ishte shkarkuar, pasi gjetjet në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe tek denoncimet, çojnë në përfundimin se subjekti kishte cënuar besimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Kledian Llaho e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si oficer i policisë gjyqësore në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në vitin 2014, ai u emërua prokuror në Prokurorinë e Vlorës dhe prej vitit 2022 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Sarandës, ku aktualisht mban dhe funksionin e drejtuesit.
Në përfundim të hetimit administrativ, Komisioni ka kryer analizë financiare për periudhën përpara fillimit të detyrës nga subjekti, kur është blerë një apartament me sipërfaqe 105 m2, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën 1 milion e 390 mijë lekë.
Pas kalimit të barrës së provës, subjekti kërkoi që të mospërfshihen shpenzimet për udhëtimet në dy vite, duke pretenduar se janë mbuluar nga puna ose organizatorët. Ai ka dorëzuar dokumentacion për këto pretendime, që është vlerësuar bindës nga ana e Komisionit. Po ashtu, KPK ka gjetur bindës edhe pretendimin tjetër të subjektit se në analizën fillestare për periudhën 2010-2014 janë përfshirë gabimisht ndryshimet dhe gjendjet e likujditeteve.
Nisur nga fakti se për nënën e subjektit janë përllogaritur shpenzime jetike, Komisioni e ka gjetur të drejtë kërkimin e Llahos për përfshirjen e të ardhurave nga pensioni.
Megjithëse nuk është konsideruar në analizë një shumë 7000 euro që është deklaruar nga subjekti se i është dhuruar bashkëshortes nga babai i saj, pas pranimit të disa pretendime, balanca negative është rrudhur duke mbetur në shumën 80 mijë lekë që nuk është konsideruar penalizuese për subjektin.
Qëndrimet ndryshe
Subjekti ka deklaruar përdorimin e një apartamenti në Vlorë pa kundërshpërblim në vitin 2016. Banesa është marrë në përdorim bazuar në një deklaratë noteraiale të shtetasit P.B., si përfaqësues i një shoqërie ndërtuese me administrator shtetasin F.K. Nga hetimi ka rezultuar se Llaho ka shqyrtuar dy çështje penale ku shtetasi F.K. ka qenë kallëzues, për të cilat ka vendosur mosfillimin e hetimeve.
Subjekti ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se shtetasi F.K. dhe shoqëria ndërtuese janë në cilësinë e sipërmarrësit të punimeve në pallat, ku investitorë dhe përfitues të apartamenteve në pjesën më të madhe janë shtetasit P. B. dhe djali i tij E. B., me të cilin është dakordësuar verbalisht për të përdorur apartamentin pa pagesë qiraje, por duke paguar detyrimet për energjinë elektrike dhe konsumin e ujit të pijshëm.
Komisionerja Pine vlerëson se Llaho është gjendur në kushtet e cënimit të besimit në përdorimin e një apartamenti pa kundërshpërblim në Vlorë në vitin 2016. Ajo vëren se megjithëse subjekti ka marrë në përdorim këtë apartament, bazuar në një deklaratë noteriale të shtetasit P.B. si përfaqësues me prokurë i shoqërisë ndërtuese, ai ka ka qenë në marrëdhënie juridike me vetë këtë shoqëri dhe me administratorin, shtetasin F.K.
Sipas Pines, lloji i vendimarrjes së subjektit të rivlerësimit për çështjet penale, të referuara nga shtetasi F. K., nuk e përjashton subjektin e rivlerësimit nga detyrimi ligjor që ka pasur për heqjen dorë prej tyre. “Paanësia është esenciale për ushtrimin e detyrës. Prokurori duhet të japë dorëheqjen nga pjesëmarrja në një procedim në të cilin një vëzhguesi të arsyeshëm mund t’i duket se prokurori e ka të pamundur të vendosë me paanësi,” shprehet ajo dhe çmon se në vlerësim të situatës së konfliktit, subjekti ndodhet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Shumica konstaton se nuk kanë rezultuar të dhëna për konflikt interesi apo të kontakteve të papërshtatshme me shtetasin P.B., personin që ka nënshkruar deklaratën noteriale për dhënien në përdorim të apartamentit.
Ndërkohë, në dy raste kur adminsitratori i shoqërisë, shtetasi F.K., ka qenë i akuzuar, ai ka kërkuar përjashtimin e subjektit nga trajtimi çështjeve – kërkesa që janë pranuar. Ndërsa për dy kallëzimet e kryera prej tij është vendosur mosfillimi hetimit.
“Nga vlerësimi i çdo informacioni që ka lidhje me çështje penale të shtetasit F. K., ka rezultuar se subjekti dhe ky shtetas kanë pasur një konflikt midis tyre dhe në asnjë rast nuk u vërtetua që subjekti ta ketë favorizuar atë”, konstaton shumica dhe vlerëson me peshë faktin se kur subjekti ka përdorur apartamentin, nuk ka pasur asnjë marrdhënie me shoqërinë apo me administratorin e saj.
Po ashtu, shumica ka konkluduar se shoqëria ndërtuese dhe administratori i saj nuk kanë qenë posedues të asnjë prej apartamenteve në vitin 2016, gjetje që vlerësohet nga shumica se përjashton tërësisht mundësinë që të kenë qenë posedues të apartamentit të përdorur nga subjekti.
Pine konstaton se në Komision është paraqitur një denoncim nga shtetasi H. M., i cili ka pretenduar se në kohën kur subjekti ka qenë me detyrë OPGJ në Sarandë, së bashku me vjehrrin e tij, ka ndërtuar një hotel disa katësh. Po ashtu, është paraqitur edhe një tjetër denoncim nga shtetasi S. S., ku referohet se prokurori Kledian Llaho e ka të tijin hotelin në emër të vjehrrit.
Sipas Pines, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë ligjshmërinë e burimeve financiare të prindërve të bashkëshortes për ndërtimin e hotelit, duke mos përjashtuar faktet dhe rrethanat që ngrinin dyshime për pasurinë objekt denoncimi.
Llaho ka deklaruar se hoteli është përfunduar në vitin 2007, përpara se të lidhej martesa dhe se nuk kishte asnjë kontribut në këtë pasuri. Ai u është referuar edhe ortofotove ku sipas tij rezulton se ubjekti nuk ka ndryshuar prej vitit 2007.
Komisioni sjell në vëmendje se prindërit e bashkëshortes së subjektit nuk kanë qenë subjekte deklaruese dhe për rrjedhojë çmon se është objektivisht e pamundur kryerja e një analize financiare të mirëfilltë për të evidentuar investimin në objekt me të ardhura të ligjshme nga ana e tyre.
“…Nuk mund të arrihet në një konkluzion përfundimtar nëse prindërit e bashkëshortes së subjektit kanë pasur të ardhura të mjaftueshme të ligjshme për investimin në objekt ndër vite, e aq më tepër për të arritur në përfundimin se objekti është investuar me kontribut të pajustifikuar ligjërisht të subjektit të rivlerësimit gjatë periudhës që ka qenë OPGJ apo që subjekti të ketë fshehur një pasuri të mundshme të tij,” vlerëson shumica dhe shton se ka të dhëna të mjaftueshme që tregojnë ushtrimin e biznesit nga ana e prindërve të bashkëshortes së subjektit që prej vitit 1994.
Sipas shumicës, nuk është evidentuar asnjë provë e rrethanë që të hidhte dritë mbi një pasuri të mundshme fshehur të subjektit të rivlerësimit për shkak të kontributit të tij në objektin hotel në Sarandë, si dhe nuk u konstatua asnjë veprim apo mosveprim i tij, që do ta vinte në kushtet e cenimit të besimit të publikut si pjesë e sistemit të drejtësisë.
Shbumica nuk ka gjetur probleme të subjektit në kriterin e pastërtisë së figurës. Edhe në dosjet penale të trajtuara në kuadër të aftësive profesionale, KPK shprehet se nuk ka evidentuar elemente, veprime a mosveprime të subjektit të rivlerësimit, të cilat do të cenonin etikën dhe besimin e tij në publik.
Pine në pakicë vëren se subjektit i janë kërkuar shpjegime lidhur me disa dosje penale në kuader të informacionit të ardhur për kontrollin e kriterit të figures. “…Faktet e rezultuara nga hetimi administrativ, në kuadër edhe të shpjegimeve të subjektit provonin se informacionet në ngarkim të subjektit të rivlerësimit sipas kërkesave të gërmave “b” dhe “c” të nenit 37 të ligjit nr. 84/2016 ishin të bazuara në rrethana konkrete”, shprehet Pine dhe vlerëson se edhe nëse ky konkluzion nuk do të ishte i mjaftueshëm për të arritur në një përfundim lidhur me kontrollin e pastërtisë së figurës së subjektit të rivlerësimit, informacionet e disponuara mbi këto dosje penale cënonin pastërtinë e figurës dhe shkallën e besueshmërisë së tij. (BIRN)