I vodhën një emigranti 400 euro dhe një celular, arrestohen dy policë të kufirit në Sarandë
Arrestohen dy punonjës të policisë me detyrë Trup Shërbimi në Komisariatin e Policisë Kufitare Sarandë.
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Vlorë-Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Sarandë, ka kryer sot ekzekutimin e urdhërit të Prokurorit në zbatim të vendimit Nr. 15 datë 1 shkurt 2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, e cila vendosi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në shtëpi” për punonjësit e policisë D. S. dhe R. XH.
Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 135 e 25 i Kodit Penal.
Ekzekutimi i këtij vendimi vjen pas një pune intensive hetimore, në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 25 janar të këtij viti kur u ndalua punonjësi i policisë M. J. dhe u procedua në gjendje të lirë punonjësi i policisë D. S.
Arrestimet erdhën pas kallëzimit të një shtetasi të huaj, emigrant i parregullt i kapur në territor, se policët e Qafë Botës i kanë marrë një shumë prej 400 eurosh dhe një celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë.