Himarë/ Mbante të fshehura kallashnikov dhe armë gjahu, në banesën e tij, vihet në pranga 62-vjeçari

Në zbatim të planit të masave për kontrollin e imtësishëm të territorit, në qytetin e Himarës, me qëllim kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri apo sende të tjera të kundërligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që mbante armë zjarri në banesë dhe ishte rrezik për banorët e zonës, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Spot”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi P. B., 62 vjeç, banues në Himarë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, dhe si rezultat gjetën të fshehura 1 armë zjarri kallashnikov, 1 armë gjahu dhe një sasi fishekësh, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.