Balla: Kandidati i Berishës në Himarë është një turp i madh, i dënuar për sulmin me armë në 1994
Kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla ka reaguar lidhur me akuzën për shpifje nga kandadidati i Berishës për Himarën, Fredi Beleri.
Sipas Ballës, Beleri është i dënuar për masakrën e Peshkëpisë, gjë të cilën kandidati i Berishës për Himarën e mohon, madje e akuzon për shpifje.
I pyetur nga gazetarët Balla e riktheksoi akuzën e tij, ndërsa shtoi se ka shkelur pastër sovranitetin e vendit.
“Unë gjithmonë e përshëndes faktin kur ka një akuzë nga njëra palë, pala tjetër i drejtohet gjykatës për shpifje. Nëse mendoj që gënjej, referojuni njoftimeve të policisë.
Ditën që PD e Shqipërisë vendos kandidat një person ndaj të cilit është ngritur akuzë për një grup që ka sulmuar e vrarë ushtarakë shqiptarë mendoj se na gjykon populli shqiptar.
Një gjë ta dini, Sali Berisha, do të vinte dita që të kandidonte dhe këtë soj, nuk është e rastësishme por fundi i hidhur i një personi që tradhtinë ndaj shqiptarëve e ka bërë që ditën e tij të parë në pushtet.
Ka 2 kandidatë, një të PD e një të foltores. I drejtohem çdo kandidati, është në turpin e PD që të kenë një person si Fredi Beleri, i dënuar për një ngjarje të rëndë dhe shkelje e pastër e sovranitetit të Shqipërisë.
Nëse kthehemi në 1994, merrni deklaratat e Sali Berishës. Turpi është çfarë ka thënë atëherë dhe sot në 2023 e merr dhe e vë kandidatin e vet.”- tha Balla.