U kap duke transportuar 9 emigrantë, arrestohet 24-vjeçari në Gjirokastër

Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 53”, ndërsa në pranga ka rënë një 24-vjeçar.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufiritkanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 53″, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 24 vjeç, banues në Sarandë.

Shërbimet e Policisë, në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip furgon me drejtues shtetasin A. P., pasi kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm.

24-vjeçari nuk është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, duke vënë në rrezik jetën e punonjësve të Policisë. Pas ndjekjes nga Policia, shtetasi A. P. u kap në vendin e quajtur “Gërhot”, duke drejtuar automjetin tip furgon, me të cilin po transportonte nga Saranda në drejtim të Tiranës, 9 emigrantë nga vendet MENA, kundrejt shumës 200 euro për person.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti, një aparat celular dhe një shumë parash. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.