Mandarinat: Ekonomia shtesë e çdo shtëpie në Mursi

Nga Thoma Nika

Ne një të diel si e sotmja, shkova në Mursi. Jo brenda në fshatin me liqen përpara, pasi isha i sigurt që mursiotët e mi nuk kisha për t’i gjetur atje. Ata nuk mund të ishin as te sheshi i fshatit, duke iu gëzuar orëve diellore të këtij janari, as kafeneve, aq më pak bilardove.

Për ata kjo kohë nuk është për të pushuar e as për t’u argëtuar, por për t’u dhënë pas punëve me Tokën. Përderisa “oborr” i shtëpive të tyre janë parcelat ku gjelbërojnë e verdhojnë nga rrënjët dhe kokrrat e mandarinave, ata ku mund të ishin në këto ditë “korrjesh”?! Edhe kafja, edhe ndonjë gotë raki, ku mezja “gratis” mbetet mandarina, pihen këto ditë në lokale të ngritura pranë prodhimit, atje ku makinat e ngarkuara ia lirojnë vendin njera-tjetrës për të kaluar në peshore e pastaj për t’u bërë gati për rrugë të gjatë, drejt Tiranës, Prishtinës apo për eksport drejt Europës. Madje, për të marrë sa më pak kohë edhe dreka, lokalet “fushore”, ofrojnë edhe menu “fushore”, me gatime “si në shtëpi”.

Po plotësohen gati tri dekada, qëkurse Mursia dhe gjithë tokat përreth, si dimension të qenësishëm, mbajnë epitetin Toka e Mandarinave, një epitet që qëndron mirë. Mund të jetë një përjashtim, nëse gjen një shtëpi pa këtë “oborr”. Kështu ndodh prej kohësh me njerëzit në Mursi, Xarrë dhe Konispol. Nuk ka asnjë rëndësi nëse profesion të parë ke tregtinë, mësuesinë, stomatologjinë, nëse bën ekonomistin apo kontabilistin; nëse mban librezë pensioni apo ke status si i papunë.

Puna është tek dera, për atë që e do punën. Ekonomia bazë apo ekonomia shtesë, gati për të gjithë, është tek Mandarina. Është ky një realitet kaq i zakonshëm, sa parcelat e mbjella me mandarina, është më e saktë të quhen plantacione. Dhe plantacionet aty poshtë, në fushë, janë “arreduar” njësoj si shtëpitë në fshat, të cilat kanë ndryshuar që së jashtmi, duke t’u shfaqur me projekte vilash.

Këto shtëpitë e fushës “habitat” të tyre kanë më e pakta disa qindra, deri në disa mijëra pemë mandarine, të vënë në rresht si ushtarë. Çdo rrënjë është ngarkuar me kokrra të shëndetshme, që ndoshta mund të shkojë në secilën deri në gjysëm kuintali e më shumë. Dhe çdo plantacion ka rrethimin dhe portën e vet, me çelës “tutius”, ku hyjnë e dalin me rregull e me kohë, që nga pronarët, deri te të punësuarit, miqtë dhe automjetet që transportojnë prodhimin për tek peshoret e tek tregtarët, që menaxhojnë maunet që nuk pushojnë.
Ilia është një pensionist, që mund të rrinte pranë oxhakut apo në ndonjë stol buzë liqenit. Por ai thotë se jeta i ka shkuar me punë dhe se nuk i shkon të ndahet as nga puna, as nga fshati, që Mandarinën e ka pasaportën e tij.

Bëri ç‘bëri dhe i ka vënë edhe ai 800 rrënjë, si për të “hyrë në valle”. Dhe as nuk mendon se mund të dalë nga “vallja” e mandarinave, edhe pse e di që nuk është e lehtë. “Pemën e bën toka, por kokrrën e bën puna”- më tregon Ilia, që më kalon pranë me arkën që mbush e stivos në zetorin e ndalur në “korridorin” e plantacionit. Më sheh që e fotografoj kështu në punë e sipër, së bashku me gruan dhe më thotë me të qeshur se të fotografosh është e lehtë dhe e bukur, por prodhimi ka halle.

E në këto halle llogarit edhe vështirësinë për të gjetur punëtorë krahu, të cilët i trajtojnë më mirë edhe se veten, pasi i kanë ”me kimet”, u vijnë nga Shqipëria e mesme apo dhe më lart akoma.

Ai ndjehet i mbështetur edhe nga vajza e dhëndrri, që në sezone të tillë dimërorë, të ngarkuar me shumë punë për mandarinat, kanë lënë Korfuzin, ku verës e gjejnë veten familjarisht të integruar në biznesin turistik të ishullit përballë. Do punë dhe punëtorë kjo punë, këmbëngul Ilia. Në lehtësimin e shpenzimeve llogarit edhe atë të paktin rimbursim nga shteti, pasi sivjet ka marrë 120 litra naftë bujqësie, sidoqë i duket një minimum.

Edhe për ca ditë dhe i jep fund vjeljes së prodhimit të mbarë. Por ende pa ardhur në fund, ai thotë se mendja i punon përtej janarit. Mendon për punët që këto mandarina duan në shkurt për krasitjen, në mars për plehërimin, pastaj për spërkatjen, pastaj…As më pak e as më shumë se ajo që më pat thënë: “Pemën e bën toka, por kokrrën e bën puna”.