Kush do të jetë kandidati i maxhorancës për Vlorën? Flet deputeti i PS
Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Metaj u pyet gjatë një interviste për Euronews Albania në lidhje me emrin e kandidatit të së majtës në qytetin e Vlorës.
Metaj tha se ende nuk ka një emër konkret, por bëri me dije se ka nisur një proces që do të konkludojë dhe në zgjedhjen e një emri që do të jetë propozimi i maxhorancës për administrimin e qytetit bregdetar.
“Jo nuk kemi një emër, por kemi një proces që do të respektohet në të gjithë hapat e tij, patjetër dhe në fund do të kemi dhe një emër që do të jetë kryetari i ardhshëm i bashkisë së Vlorës.
Jemi shumë shpejt për të folur për emër. Dhe nga historiku i daljes së kanidaturave zyrtare në zgjedhjet vendore, afati kushtetues e lejon që të kemi ende kohë për të përzgjedhur emrat e duhur.
Partia Socialiste ka eksperiencën e duhur dhe të gjitha potencialet jo vetëm për të patur një kandidat por disa kandidatë fitues në të gjitha bashkitë e Shqipërisë”, tha Metaj.