FOTOT/ Përfundon parkingu nëntokësor i Gjirokastrës, ja sa pritet të jetë pagesa

Parkingu nëntokësor me rreth 300 vende në Sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër ka përfunduar në masën 90%. Ministrja Mirela Kumbaro publikon disa foto nga kjo vepër e cila është një zgjidhje shumë e madhe për zonën muzeale të qytetit.

“Që tani ka marrë jetë një hapësirë e rinovuar dedikuar aktiviteteve dhe festave, duke shtuar njëherazi kapacitetin e parkimit pa cënuar mrekullinë e peizazhit të qytetit”, shkruan Kumbaro.

Pritet që në javët e ardhshme parkingu të kompletohet me sinjalistikën e duhur dhe elementë të tjerë të domosdoshëm. Më pas hyrja në të do të tarifohet kundrejt një vlere që siç mëson Argjirolajm.net pritet të jetë 100 lekë/orë. Por do të ketë gjithashtu vende të rezervuara për institucionet publike dhe tarifa të tjera preferenciale për kategori të vecanta si para e tetraplegjikët.

Megjithatë kjo pritet të zyrtarizohet më vonë. Parkingu do të mbetet për 15 vjet në administrim të përbashkët 50% ne 50% mes Bashkisë Gjirokastër dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Në fund të kësaj periudhe vepra i kalon plotësisht Bashkisë Gjirokastër.