Entuziazmi i deputetes Zhupa: Ja katër kandidatë model për një qytet blu…
Deputetja demokrate e Sarandës, Ina Zhupa, përcjell me entuziazëm zhvillimin e të ashtuquajturave Primare në Sarandë, në atë pjesë të PD-së e cila drejtohet nga Berisha, por që është para një verdikti gjyqësor nëse do njihet si PD-ja zyrtare apo jo. Kujtojmë që PD drejtohet dhe nga Enkelejd Alibeaj, si kryetar i komanduar, pas dorëheqjes së Bashës.
Deputetja Zhupa ishte krah këtij të fundit gjatë përballjes me Berishën, por më pas, pas vetëlargimit të Bashës, kaloi në kampin e liderit historik, të rikthyer në drejtimin e PD-së pas u shpall “non grata” nga amerikanët. Tashmë është i tillë dhe nga britanikët, mes përfoljeve që mund të pasojë dhe BE me qëndrimin amerikano-britanik ndaj kësaj figure të politikës shqiptare.
Kështu, deputetja Zhupa bën me dije në një status garën e katër kandidaturave për Bashkinë e Sarandës për Lokalet e majit.
“Katër kandidatë model për primaret e Bashkisë Sarandë!”, shkruan ajo, duke vijuar:
Zhvilluan një debat alternativash, idesh ku gjithsecili nga 4 kandidatet: Ardit Cikuli, Armando Magllara, Ilir Nikolla dhe Spiro Vaso shpalosën CV e tyre, edhe programin e tyre.
Në drejtimin e kryetares së degës Manjola Nikollo dhe moderimin e sekretares së degës Anila Lejmoni, patëm kënaqësinë të ishim në një sallë plot me demokratë që reflektonin me pyetjet e tyre dëshirën për bashkim me çdo qytetar dhe për fitore.
Së bashku me deputetin dhe drejtuesin e grupit të punës, Bujar Leskaj, ndoqëm debatin me kënaqësi për vlerat që përconin dhe ju uruam suksese kandidatëve në kete garë
Në 4 dhjetor mbaron një garë e bukur mes demokratëve dhe fillon beteja e vërtetë me pushtetin…”, shkruan ndër të tjera deputetja demokrate.
Kujtojmë që në 30 vjet, pushteti lokal në Sarandë është dominuar lehtë nga PS, ndërsa PD mban rekordin e dy mandateve radhazi me të njëjtin emër: Edmond Gjoka.