Begaj vizitë në Sarandë, takime me komunitetin dhe biznesin
Në ditën e dytë turit në jug të vendit, Presidenti Bajram Begaj, u ndal në Sarandë, ku zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të pushtetit lokal, përfaqësues të bizneseve dhe komunitetit.
Fillimisht Presidenti Begaj u takua me kryetarin e bashkisë së Sarandës, Adrian Gurma, ku foli për zhvillimin dhe sfidat e qytetit të Sarandës.
“Është e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim mes pushteteve, mes institucioneve, për të garantuar që të gjithë qytetarët të dëgjohen dhe të mbështeten”, tha Presidenti Begaj në takim.
Presidenti i garantoi kryetarit të bashkisë se do të kishte të gjithë mbështetjen e Kreut të Shtetit për të adresuar çdo shqetësim nëse do të ishte e nevojshme.
Gjatë takimit me kryetarin e bashkisë, ishte i pranishëm dhe prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal.
Presidenti Begaj vizitoi dhe gjimnazin “Hasan Tahsini”, një gjimnaz të spikatur të Shqipërisë, ku u takua me stafin pedagogjik, si dhe nxënësit e gjimnazit.
Duke iu drejtuar nxënësve, Presidenti tha se “e ardhmja e vendit varet pikërisht nga ju. Siç është edukimi sot, do të jetë Shqipëria nesër. Merrni në dorë fatin tuaj, fatin e vendit”.
Presidenti Begaj bëri thirrje për një vëmendje maksimale nga të gjitha institucionet në drejtim të edukimit.
Presidenti vizitoi gjithashtu dhe spitalin e Sarandës “Petro Nako”, ku falënderoi mjekët për dedikimin dhe përkushtimin ndaj pacientëve.
Gjatë takimeve në Sarandë, Presidenti Begaj u takua dhe me përfaqësues të bizneseve, për t’u njohur më mirë me të gjitha problematikat në këtë sektor, si dhe me ish-ushtarakë.
Në fund të turit në Sarandë, Presidenti Begaj vizitoi dhe Parkun Kombëtar të Butrintit, një pasuri që i përket jo vetëm Shqipërisë, por të gjithë botës dhe që e bën Sarandën një nga destinacionet më të rëndësishme turistike të vendit.