Takimi në lagjen nr.4, jo dëgjesë për procedurë, por si nevojë për komunikim

Me shprehjen e një detyrimi më shumë, edhe si banor i Lagjes Nr. 4, e ka nisur fjalën e vet Kryetari i Bashkisë Adrian Gurma, në dëgjesën me bashkëlagjarët e vet.

Ky takim është zhvilluar në frymë llogaridhënëse për punët e kryera dhe me interaktivitet mes të pranishmëve-folës, që ishin konkretë dhe realistë në vlerësimet dhe propozimet e tyre për çfarë ka mbetur për t’u bërë.

Kreu i bashkisë Gurma u ndal së pari në prurjen turistike të këtij viti turistik dhe në përfitimet e marra nga çdo biznes e deri nga çdo familje, edhe në lagjen Kodër, që ai e ka cilësuar më prezantuesen, më atraktiven dhe më mikpritësen në qytetin e turizmit.

Kjo ka ardhur falë klimës mikpritëse që ofrohet, si pjesa shpirtërore e ofertës turistike më cilësore dhe falë investimit në infrastrukturë e në standart shërbimesh. Nuk është e rastit që edhe përmirësimi në imazhin fizik të qytetit, ka nisur pikërisht nga Lagja Kodër, argumentoi kreu i Bashkisë.

Pastrimin e quajti pikë nevralgjike për të bërë turizëm. Megjithëse kjo lagje dallon për qasjen miqsore me mjedisin, nuk ka munguar edhe apeli miqsor, pasi ende është diferenca në pastërti midis shtëpisë brenda, ndërkohë që jashtë pragut nuk është e njëjta qasje për qytetin dhe lagjen.

Puna e bërë me angazhim maksimal, me task-forcën aktive në 24 orë dhe me fondin e rritur për pastrimin, të gjitha këto kanë sjellë ndryshimin, por u theksua se pa partneritet me qytetarin, asgjë nuk mund të jetë e qëndrueshme.

Si eksperiencë më vete u prezantua ajo që është bërë për riciklimin, për të cilin Gurma tha se ka marrë vlerësime deri dhe nga diplomatë dhe nga turistë vendas e të huaj, që kanë ndjeshmëri dhe pritshmëri të larta për qëndrim miqësor me mjedisin.

Ndër punët e bëra mirë në shërbim të qytetarit, u veçuan plazhet publike në qytet, përfshi edhe Lagjen Kodër. Duke nënvizuar se kësaj Bashkie i ka rënë barra t’u japë zgjidhje disa prej problematikave të krijuara në 30 vite, u tha se nga 3200 sheshe ndërtimi, janë lidhur kontrata për 900 prej tyre e të tjera janë në proces.

Ndërkaq, u dhanë tregues konkretë e bindës për atë që Bashkia e Sarandës është cilësuar lider në çështjet e politikave sociale.

Banorët që e morën fjalën në takim, përveçse ishin vlerësues për ndryshimin e prekshëm në çdo shërbim, dhanë sugjerime të vlefshme për të vënë prioritete në planifikimin e punëve për 2023 dhe për plotësimin e mangësive.

Ata kërkuan shtim të koshave të vegjël në rrugët kryesore dhe një shpërndarje më të studjuar të kontenjerëve të mbetjeve urbane, punë më të kontrolluar ndaj operatorit të pastrimit, dhënien fund të shpërdorimit të ujit të pijshëm, bërjen e një plani të studjuar urban veçmas për Lagjen Kodër, shtimin e numrit të institucioneve të arsimit parashkollor, monitorim më të mirë të mungesave në ndriçimin publik etj.

Duke çmuar të dobishëm çdo mendim të shfaqur në këtë bashkëbisedim të hapur, Kryebashkiaku Adrian Gurma u shpreh se kjo nuk ishte dëgjesë për procedurë, por pëmbushi një nevojë për të komunikuar e për të dëgjuar dhe për të të bërë më të mirën me qytetarët, për qytetarët.