Një alternativë: Pse quhet Qafa e Gjashtës??!!!

Nga Thoma Nika

Në konceptin gjeografik, në relievin shqiptar, kalimi nga një vend në tjetrin, zakonisht bëhet nëpërmjet qafave. Prandaj dhe ndodh që rrugët kalojnë nëpër to e qafat shërbejnë si porta hyrëse dhe ndarëse mes territoreve. Duke kaluar nëpër to, bindesh se Qafat Malore paraqesin në vetvete një ulje të vijës kreshtore midis majave malore fqinje.

Në përditshmërinë tonë, kushedi sa herë na duhet të përsërisim si vendndodhje a vendbanim fshatin Gjashtë.

E pranueshme është që emri i këtij fshati ka buruar nga vetë Qafa e Gjashtës, ku ai është ndërtuar, dekada e dekada më parë. Pyetja që shtrohet, është: përse vetë kjo qafë e Malit të Sarandës, ka marrë emrin Qafa e Gjashtës?? Përgjigja më e pranueshme e këtij emërtimi, vjen nga vargu i qafave që numërohen në këtë territor.

  1. E para qafë, nga e cila, duket se ka nisur numërimi, është Qafa e Muzinës. Referuar “Enciklopedisë së Sarandës dhe Delvinës”, (A.Pango, 2002), ajo përshkruhet si një ndër portat natyrore të kalimit nga rajoni i Gjirokastrës, në atë të Sarandës. Në të thuhet se në këtë qafë mali gjenden sasi të mëdha lëndësh, që përdoren për prodhimin e materialeve abrazive, tullave zjarrduruese, termoizolatorëve të çimentos, të betoneve hidraulike etj
  2. E dyta në radhë, ëahtë Qafa e Skërficës, tanimë shumë më e njohur se më parë, për shkak të kalimit andej të aksit më të ri rrugor, Kardhiq-Delvinë-Sarandë dhe të çarjes së saj nga Tuneli i Skërficës. Historikisht Qafa e Skërficës ka shërbyer si i vetmi kalim i shkurtër i ushtrisë gjatë luftërave iliro-romake në antikitet dhe i karvaneve tregtare, që zbrisnin nga Kardhiqi në Pashallëkun e Delvinës, gjatë mesjetës. Nga kjo qafë, shpërndahen disa rrugë barinjsh për në stanet verore të Lucës dhe Malit të Gjerë. Eshte i njohur fakti që, në

Qafë të Skerficës, ka patur dhe gjenden rezerva fosfori. Kujtoni që ka funksionuar deri më 1990, miniera e fosforit në Fushëbardhë, në prehër të Qafës së Skërficës.

  1. Nje qafë tjetër mali, që i përket këtij numeracioni, është Qafa e Botës, edhe kjo shumë e njohur dhe shumë e përdorshme tani, pasi funksionon si porta më e afërt tokësore e kalimit kufitar me Greqinë. Por ka edhe një fakt historik: që rruga automobilistike e Qafëbotës është çelur nga repartet xhenjere të ushtrisë italiane, më 1939.
  2. Qafa e Sopotit është gjithashtu pjesë e numërimit të qafëmaleve që ngrihen në rajonin tonë. Nga Qafa e Sopotit, duke nisur nga mesjeta deri në fillim të shekullit të 20-të, kanë kaluar karvanet tregtare, që vinin nga Delvina e Çamëria dhe fshatrat përreth, për në Gjirokastër e më tej.
  3. E pesta qafë në radhë, është Qafa e Gjinos, si portë hyrëse për në fshatin e sotëm të Shelegarit. Ky fshat mendohet të jetë krijuar më 1920, me 12 familjet e para nga Çamëria
  4. Për të ardhur te qafa e gjashtë, e quajtur, për këtë arësye, Qafa e Gjashtës. Prej saj mendohet të ketë marrë emrin edhe vetë fshati Gjashtë.

Shpesh thuhet se ky fshat është zgjatimi urban i qytetit të Sarandës. Aq sa, ka ndodhur që, me humor, (por me të vërtetën brenda), të mendohet se nuk ka për të qenë e largët dita kur vetë Saranda, do të duhet të quhet “Sarandaeksi” (dyzetegjashtë).

Për shkak të këtij bashkimi të natyrshëm, shihet të vijë si logjikë zhvillimi mes qytetit të Sarandës, me fshatin më të afërt e më të përngjashëm të saj.