Në Delvinë, sa për tri stinë…
Nga Thoma Nika
Kalova një pasdite dimërore në Delvinë. Në pak orë, përjetova tri stinë.
Aty atmosferë me ajër “kristalor”. Më tej një karvan me re, që i hapin një korridor diellit.
Dhe pastaj shtëllunga, që bëjnë lëmshin e madh e të purpurt perëndues të ditës.
Dhe çfarë mendova? Se për shumëçka Delvina fsheh një atraksion turistik që duhet zbuluar. Solla në kujtesë se si, në pikun e sezonit, jo pak njerëz detyrohen ta paguajnë “sa frengu pulën” një shtrat në Sarandë.
Vazhdon të ndodhë kështu, kur Delvina është kaq pranë dhe vetëofrohet si një alternativë e shkëlqyer.
Për të fjetur e për të bërë një gjumë ëndrrash.
Por edhe për t’u zgjuar në një natyrë dhe botë përkëdhelëse.
“Ja ku më kini”, thotë Delvina.
Me tërë këto të mira, që, me padashje absurde, u rrimë larg. Gjasme për të mos i ikur jetës urbane. Në fakt Delvina është një mbishtresë me 500 vjet qytetari. Kush provon ta zgjuajë atë e të marrë ekon e saj, tregon se është i zgjuar vetë.
E çfarë nuk mendova?!
Se vetë Delvina të fut në mendime dhe thërret për të menduar për të.
Ajo nuk meriton të jetë si një xhep fallco në pantallona firmato.
Duke qenë si xhep i vogël, ku fshihet floriri.