Mision i UNESCO-s për verifikimin e rekomandimeve për Butrintin
Një mision i UNESCO-s ks organizuar takime të rëndësishme si pjesë e një procesi verifikimi të rekomandimeve të dhëna dhe për të sjellë përmirësime në bashkëpunimin me qeverisjet vendore dhe komunitetet e përfshira në territorin e Parkut të Butrintit.
Një prej ndalesave të grupit të ekspertëve të UNESCO-s, shoqëruar nga pprfaqësues të Ministrisë shqiptare të Kulturës, ishte edhe ai në Bashkinë e Sarandës.
Kryebashkiaku i Sarandës, Adrian Gurma, ai i Finiqit, Kristo Kiço dhe kreu i Bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri, u shprehën se janë të fokusuar dhe të unifikuar në ruajtjen e vlerave unikale të trashëgimisë, që përfaqëson Butrinti.
Mes tyre dhe përfaqësuesve të misionit të UNESCO-s u diskutua për mënyrat e forcimit të bashkëpunimit për ruajtjen e vlerave të siteve të trashëgimisë kulturore, por edhe për ekuilibrimin e numrit të vizitorëve, për monitorimin e zhvilimeve infrastrukturore.
Me theks të veçantë u fol për një status special të banorëve brenda Parkut, që ata të ndjehen të favorizuar dhe përfitues në pikëpamje ekonomike, përderisa ata privohen nga ndërtimi si në zona të tjera dhe se realisht janë mbrojtës të kësaj pasurie botërore.