Eklea Omeri dhe Kelvin Kosta, dy talentët nga Saranda fituesit e kampionatit të shahut për të rinj

Eklea Omeri dhe Kelvin Kosta të dy nga Saranda, janë fitues të kampionatit të shahut për të rinj.

Eklea ka nisur të luajë shah që në moshën 6 vjeçare. Sot, 14 vjeç, numëron 8 kupa mes të cilave edhe një si kampione Europe për moshën e saj.

“Duke parë vëllezërit që luanin, më tërohqën gurët e shahut dhe thashë pse jo. Një nga trofetë e mija më të mëdhenj ishte kur në vitin 2021 dola kampione Europe, për grupmoshën U-13 në standard. Shahu është një sport me shumë përfitime që të kalit durimin, të ndihmon me përqendrimin,” tha ajo.

Kelvini, 15 vjeç ka arritur të jetë kampion Ballkani, por ambiciet i ka më të mëdha.

“Turneu im i parë me përmasa të mëdha ka qenë Kampionati Kombëtar i Moshave në 2017, kur kam dalë kampion Shqipërie. Më vjen mirë që kam fituar këto trofe pasi puna ime është shpërblyer në një mënyrë. Shahu më ndihmon me durimin. Të luash një lojë shahu për 5 orë, tregon që ke një durim të madh. më ndihmon me përqendrimin, imagjinatën,” tha ai.

Trajneri i ekipit të Butrintit Liem Mihasi thotë se ky është viti i sukseseve.

“Suksesi ishte dhe me kampionatin ekipor, ku Butrinti tashmë në superligë, u shpall kampion i Shqipërisë. Pjesë e ekipit ishin dhe dy të rinjtë tanë Kelvini dhe Klea. Që nga 2003 deri tani ekipi i shahut të Butrintit ka qenë në elitën e shahut shqiptar. Në total 7 herë kampion dhe një herë fitues i kupës së Republikës,” tha ai.

Qyteti i Sarandës është njohur për traditën e shahut, ndërsa numri i të rinjve që kanë përqafuar këtë sport në vitet e fundit ka shënuar rritje.