Alibeaj: Do dalim me kandidaturat tona, s’biem pre e provokimeve
Deputetët demokratë që përkrahin grupin e Alibeajt do të dalin me kandidatët e tyre në zgjedhjet vendore të 2023, duke sfiduar grupin e Rithemelimit të Sali Berishës. Mospasja e një dakordësim me grupin e Berishës për të dalë me kandidatë të përbashkët ka sjellë edhe më shumë acarim mes palëve, por kreu i grupit të PD Enkelejd Alibeaj tha se PD nuk do të bie pre e provokimeve pasi beteja e tyre është me regjimin e Edi Ramës.
Pas mbledhjeve në Tiranë dhe Durrës, Enkelejd Alibeaj ka mbledhur Kolegjin e kryetarëve të PD në Fier, ku ka bërë të ditur se PD shumë shpejt do të dalë me kandidaturat e saj në të gjitha bashkitë për zgjedhjet e 14 majit 2023. Gjithashtu Alibeaj shtoi se do të ketë një riorganizim të degëve të PD, që sipas tij do të shërbejë për rifreskimin dhe identifikimin e PD.
“Sot mbledhja me Kolegjin e kryetarëve të PD së bashku me kryesinë e PD ishin 2 qëllime, informimi për të gjitha zhvillimet e fundit që ishte dhe synimi ynë për daljen tonë me një kandidat të përbashkët dhe marrja e qëndrimit që morëm ishte e udhës sot që jo vetëm të informonim por edhe fillimi i menjëhershëm i procesit të riorganizimit të të gjitha degëve të PD-së në funksion të rifreskimit dhe ripërtëritjes dhe identifikimit qoftë për kandidatura për kryetarë bashkie apo këshille bashkiake. Ju informoj se në PD janë depozituar prej kohësh një numër i madh kandidaturash sipas statutit të PD, shumë shpejt do deklarojmë edhe kandidaturat për të gjitha bashkitë që do jenë të gatshëm për të garuar në zgjedhjet e 14 majit.
Ne kemi zhvilluar mbledhje në selinë e PD-së në Durrës, në Tiranë e zhvillojmë sot në Fier, mbledhja tjetër do jetë në Lezhë për të treguar se ne jemi në paradhomë të fushatës zgjedhore dhe është e udhës që demokratët duhet të dalin në terren, është edhe taktikë për të pasur kontakte më intensive me demokratët kudo ku janë. Në të gjithë këtë lëvizjen tonë nuk duam e nuk e kemi bërë lëshimin e sinjaleve provokative, beteja jonë është me regjimin, aleatët tanë janë qytetarët”, tha Alibeaj.
Edhe pse grupi i Berishës dhe ai i Alibeajt u ulën në tryezën e negociatave për të dalë me një kandidat të përbashkët për zgjedhjet vendore të 2023 nuk u arrit një marrëveshje mes palëve. Shkak për këtë u bë fakti se grupi i deputetëve që përkrahin Alibeajn nuk pranojnë njohjen e Sali Berishës në drejtimin e Partisë Demokratike.