Zhvillohet mbledhja e radhës e këshillit bashkiak të Sarandës: Ja çfarë vendimesh u miratuan
Mbledhja e radhës, e muajit tetor të Këshillit Bashkiak, është pritur me mjaft interes. Kjo lidhet me fokusin e problematikave që ajo vuri në rendin e ditës.
Interesi i parë ishte i personave që trajtohen me ndihmë sociale nga bllokskema dhe nga të ardhurat e Bashkisë, që zuri vendin e parë të vendimmarrjes lokale.
Në këtë kontekst, por me vizion shumë më të gjerë, u miratua plani social për 3 vitet e ardhshme 2023-2025, si dhe u miratua programi buxhetor afatmesëm 2023-2025 i rishikuar.
Këshilltarët u njohën dhe diskutuan edhe rreth raportit 9-mujor të veprimtarisë financiare të Bashkisë së Sarandës. Një fokus më vete ishte ajo mbi vazhdimësinë e aktivitetit futbollistik për sezonin 2022-2023.
Gjithashtu, u miratua marrëveshja e subjektit të kompetencave të përbashkëta ujësjellës-kanalizime.