S’kanë ku të shesin verën, historia dhe sakrificat e çiftit të pensionistëve në Delvinë
Njazi Jonuzi nga Isaku i Delvinës punon përgjatë gjithë vitit për të siguruar të ardhura. Por këtë vjeshtë nuk ka gjetur treg për shitur verën dhe prodhimi i ka mbetur stok në këtë depo.
“Na ka mbajtur gjallë, rrushi dhe vera në Isak. Po kemi arritur në një pikë shumë delikate, që nuk e shesim dot. Është verë shtëpie dhe rakia gjithashtu, po dominon industria. Këtë vit kam prodhuar 20 kuintalë verë, do bëj e 10 kuintal raki. Ka filluar të mbetet stok. Vjet nuk nxora fare verë.”
Prej mungesës së tregut vitin tjetër vështirë se do vjelë gjithë rrushin.
“Këtë vit e mblodha e përpunova, viti tjetër nëse nuk e nxjerr dot këtë mall, ku ta çoj? Detyrimisht do ta lë si të tjetër, ta hajë bagëtia.”
Ai jeton me bashkëshorten e tij Hejmenë, pasi fëmijët i kanë emigruar.
“Kam mbjelle këtë sallatën, do ta mbuloj për dimër. I bëj si serë. Qepët dhe hudhrat. Ja dhe këto specat djegës, reziston gjithë dimrin.”
Kjo zonjë e palodhur për gjatë gjithë vitit kultivon perime në oborr.
“Në behar mbjell speca, sallator. Tani në vjeshtë, mbjellim lakra, hudhrë, presh, sallata. Nuk blej asgjë në market dhe vajin e ullirit do ta bëj vetë.”
Siç e do tradita nëna dhe vjehrra i kanë mësuar të përgatitë zajret. Është kujdesur gjatë verës për ti bërë gati që zajretë, që do t’ju nevojiten gjatë dimrit.
“Kam bërë trahani shpejt që në korrik, bëjmë specat turshi, reçel me ftua dhe rrush.”
Kanë dhe 10 koshere dhe me prodhimin e mjaltit merret Njaziu.
“Nuk futen të gjitha në prodhim. Futen gjysmat. Unë jam i kënaqur e konsumojmë për vetë ju japim dhe fëmijëve.”
Familja Jonuzi shfrytëzon çdo resurs që i ofron toka dhe klima. Me luleshtrydhet që ka mbjellë në baçe Hajmenia bën liker. Madje na tregon dhe recetën.
“Mora gjysmë kg luleshtrydhe, i lava i pastrova. Mora 1 kg raki. I hodha luleshtrydhet. I lashë 13 ditë. Pas 13 ditësh i kullova, i zjeva me 400 gram sheqer. Më pas i futa në frigorifer.”
Zonja mendon se brezat e rinj duhet të mësojnë prej tyre, për të përgatitur vetë disa ushqime të ushqyeshme, pa konservantë dhe që rezistojnë disa muaj.