Si u shndërrua lumi i Kalasës në lumin e vdekur?!

Nga Bardhyl BEJKO

Zona e Vergoit, shtrihet nga fshati Tatzat dhe zbret poshtë, pranë urës së Gajdarit, atje ku është porta hyrëse për në qytetin e Sarandës. Në hapësirën e kësaj krahine, mes Tatzatit deri në Vanë, shtrihen fshatrat,- Fushë Vërri, Vergo, Senicë, Kalasë, Bashaj, Bajkaj, Kopaçez, Palavli deri poshtë në Shelegar,duke përfshirë edhe Stjarin e më tej Rusanin.

Është zonë me fusha e kodra që dallohet për prodhimet bujqësore e blegtorale! Krahina e Vergoit shquhet për traditat e këngëve të isopolifonisë dhe vallet e burrave, grave dhe fëmijëve. Kostumet e qëndisura dhe këpucët me xhufkë janë emblema e shirt së bukurisë së rrëzomasve. Por jo vetëm kaq. Është treva, e cila ka kontribuar në luftërat për liri dhe arsimim. Është zonë dijedashëse dhe punëtore si rrallëkush. Nga kjo zonë kanë dalë intelektualë të shquar, profesorë e shkencëtarë, skulptorë mjeshtra kombëtarë, romancierë e piktorë, deri edhe ministra në kabinetet qeveritare, para dhe pas vitit 1944. Blegtorët e këtushëm janë nga më të mirët në jugun e Shqipërisë.

Pas ndërtimit të rrugës Delvinë – Kardhiq, përmes tunelit të Skërficës,rrugë që nisi qarkullimi prej dy korrikut,cilido që përshkon mes përmes kësaj krahine të njohur, me diversitet mbresëlënës me male që shpojnë qiejt, pyje të harlisura, kullota, kodra e livadhe. Përbri fshatrave,rrjedh lumi i Kalasës. Sot pikërisht për këtë lumë do flasim. Kjo se ky lumë është burimi i jetës dhe rregullator i mjedisit në tërë këtë hapësirë. Është pikërisht Lumi i Kalasës që e ka burimin në anën perëndimore të Tatzatit, thellë në hone e gurra siç i thonë këtu , ku nga thellësia e tokës si fontanë del uji i pastër kristal. Është një shëmbëlltyrë e Syrit të Kaltër“. Por ky lumë ka edhe më. Kjo se lumi i Kalasës, është burimi i furnizimit me ujë të bollshëm për ujitje në sipërfaqe qindra hektarësh. Jo vetëm kaq. Në këtë basen lumor, rriten lloje të ndryshëm peshqish, ku më i famshmi, është pestrova. Po këtu rritet edhe peshku, mustaq, apo qefulli dhe ngjala. Jo pak banorë të zonës janë peshkatarë të njohur,jo vetëm për peshkim për të ushqyer familjen, po edhe për pasion e sport.

Në historikun shumëvjeçar, lumi ka qenë i lidhur me jetën e tërë këtyre banorëve. Për banorët, për ujitje. Për kafshët. Mbi të gjitha për bujqësinë pasi me ujin e lumit Kalasë përmes sistemit të ujitjes në vitet e para nëntëdhjetës ujiteshin tërë parcelat me misër, grurë, perime e frutikulturë. Nga Kalasa,uji shkonte deri në fushat e Finiqit përmes kanalit ujitës, K5, siç ka qenë emërtuar në ato vite. Sistemi ujitës ishte i ndërtuar me projekt shkencor, duke shfrytëzuar traditën e bujqëve, të cilët ujin e lumit e ngrinin përmes pritave dhe e drejtonin në ngastrat e mbjella, atje ku nevojitej për ujitjen e bimëve të arave. Në këtë kuptim, lumi ishte gjatë tërë vitit, jeta e njerëzve të kësaj zone.

Edhe pas vitit 1990, banorët e zonës së Rrëzomës kanë kultivuar, kultura të ndryshme bujqësore dhe kanë blegtori të zhvilluar. Plantacione me ullinj e agrume rrethojnë tërë zonën, ku fermerët mbjellin e korrin,vjelin dhe jetojnë me produktet që marrin nga puna që bëjnë e djersa që derdhin. Vetëm mbështetur me ujin e lumit, kanë kultivuar pemët frutore dhe mbarështojë mijëra krerë të imta. Po gjedhë janë minimizuar. Veterineri i njohur, Bashkim Ahmeti, bir nga kjo zonë, ku ka punuar më shumë se dyzet vjet, flet me nostalgji për numrin e krerëve të bagëtive të imta, prodhimet, tufa me dele e dhi, ku veç traditës, dashurinë dhe lidhjen shpirtërore me gjënë e gjallë, rol të jashtëzakonshëm luante edhe uji i lumit të Kalasës. Sipas tij, blegtori pa ushqim, kullota dhe ujë nuk mund të ketë, thotë ai. Po vitet e fundit Lumi i Kalasës është shndërruar në Lumin e Vdekur.

Burimet e ujit, zakonisht i bllokojnë kuçedrat. Po kjo ndodh vetëm në përralla e legjenda dhe janë vetëm për të nxitur fantazinë e fëmijëve që të zhvillojnë përfytyrimin dhe mendimin abstrakt. Ndryshe nga kuçedrat burimin e lumit të Kalasës e kanë bllokuar me një kontratë shumë të hershme të padrejtë, hileqare, pronarët e hidrocentraleve në Bunec që gjenden pranë fshatit Piqeras, më saktë mes Lukovës dhe Piqerasit, në anën e majtë të plazhit të njohur të Bunecit, buzë Jonit. Bllokimi i ujit për hidrocentralet ka shkaktuar katastrofë sociale dhe mjedisore. Banorët e zonës së Rrëzomës asnjëherë nuk janë dakordësuar me këtë kontratë, e cila është bërë pa i pyetur, pasi ata e dinë shumë mirë se marrja e ujit përmes tunelit të Tatzat-Sasaj për të vënë në lëvizje turbinat e heceve të vegjël, detyrimisht nuk lënë asnjë pikë ujë të derdhet në shtratin normal të lumit. Në këtë mënyrë,lumi në verë thahet plotësisht. Kështu ndodh vit pas viti. Ditët e fundit në shtratin e lumit nuk ka pasur një pikë uji. Veç disa pellgjeve që duken si sy të verbuar, gati të vdekur. Mungesa e ujit në lumë ka bërë që një zonë e tërë që shtrihet në shtratin e lumit i veshur dikur me pyje,ku harliseshin të gjitha llojet e drurëve pyjorë deri tek shelgjet lotues dhe ku kishte një florë e faun mjaft të pasur me të gjitha llojet e shpendëve e kafshëve, sot ka degraduar në shkurishte pa asnjë gjelbërim. Trungjet,janë tharë dhe kurorat e tyre janë zhdukur. Kanë mbetur vetëm drurë skeletikë që duken si cungje të djegur e nxirë nga të nxehtit e verës. Pikërisht ndërprerja e ujit që vjen nga burimi i Tatzatit,e ka degraduar tërë shtratin e lumit dhe zonën përreth,duke e kthyer në tokë të djegur. Lumi ka marrë karakteristikat e lumit të vdekur, ashtu siç e përshkruar,- Jakov Xoxa në romanin e famshëm “Lumi i Vdekur“ po në kuptimin e përmbysur, jo se ka përmbytje,po është tharë dhe nuk ka më asnjë gjallesë.

Me qindra kuintalë peshk në mungesë të ujit dhe rrjedhës së lumit pas bllokimit për ta futur në tunel në mes të verës deri tani në fundshtatori, kanë ngordhur. Ndjehesh i trishtuar kur shikon se peshqit kanë mbetur në zallin e lumit,duke krijuar një peizazh vërtetë katrastofik, si të jetë një sken horror. Kur shkuam në shtratin e lumit,tufa sorrash dhe korbash endeshin në kërkim të peshqve të ngordhur mbetur në zallishte e lumit. Bashkë me fermerin,Ilir Liçaj, i cili e ka të lidhur jetën me lumin pasi ka të mbjella që thahen për një pikë ujë, kryeplakun e fshatit Bajkaj, i shqetësuar jo vetëm për mungesën e ujit për ujitje, po edhe tharjen e puseve të fshatarëve, Blerim Kullaj dhe fermerin Kita Xhoga, që e kanë lidhur jetën me bujqësinë alarmohesh nga faktet rrënqethëse për të cilat flasin që shkakton mungesa e ujit në Lumin e Kalsës. Ata flasin në emër të gjithë fshatarëve, jo vetëm të fshatit Bajkaj, ku jetojnë, po edhe të atyre pranë të cilët vuajnë të njëjtën mungesë, atë të ujit të lumit të vetëm, Kalasës, i cili nga lumi i jetës, kaltërsisë, është shndërruar nga papërgjegjshmëria fatale në lumin e fatkeqësisë që me të drejtë i kanë ndryshuar emrin, duke e quajtur “Lumi i Vdekur“.

Për ata dhe shumë banorë të tjerë, së pari për organet e pushtetit, Drejtorinë e Bujqësisë, Prefekturën, Vlorë, mjedisin, policinë, KESH-in dhe tërë organizmat që i lidh puna dhe jeta me ujin e lumit të Kalasës, ka ardhur koha, madje ka kaluar, që të ulen për të gjetur zgjidhje urgjente. Kontrata duhet rishkruar. Fermerëve t’u kthehet uji për ujitje. Lumit, gjallëria e dikurshme. Ekostsitemit, vlerat që kishte dikur. Bujqësisë jeta. Peizazhit pelerina e gjelbër që ishte pamja më mbresëlënëse sapo hyje në portën e Rrëzomës dhe hidrocentralet në Bunec të vijojnë të punojnë, po pa e kthyer Kalasën në lumin pa jetë dhe pa ujë! Të gjithë duhet të marrin përgjegjësinë për ta kthyer lumin e Klasës në origjinën e shtratin e vet. Dhe zonës së Rrëzomës t’i kthehet begatia e rrëmbyer barbarisht nga babëzia për disa mijëra euro, duke vdekur një trevë të tërë, siç është ajo e Rrëzomës, dikur e begatë. Lumit duhet t’i kthehet madhështia e dikurshme për të rrjedhur e gurgulluar në habitatin mijëravjeçar. Koha është tani! Dhe është emergjencë jo vetëm lokale,po edhe kombëtare. Emergjencë që nuk tolerohet! Të ketë përparësi uji i pijshëm, ujitja, blegtoria ashtu cic parashikon edhe ligji për shfrytëzimin e ujit. Këtë ligj e njohin të gjithë e dinë në radhë të parë ata që bllokojnë rrjedhën normale të ujit dhe devijojnë drejtimin e tij duke krijuar këtë katastrofë natyrore dhe mjedisore,sociale dhe shoqërore,ekonomik,politike dhe ka ndikim tepër negative ndaj buxheteve familjare.

Është kjo arsyeja që banorët e krahinës së Rrëzomës kanë protestuar vijmësisht. Janë këto protesta dhe kërkesat e vazhdueshme që kanë zgjuar së fundi institucionet! Po institucionet nuk ka pse të presin sinjalin “SOS. Të lëshuar nga banorët. Ata duhet të kenë ndjeshmërinë dhe shqetësimin e fermerëve dhe blegtorëve për mungesën e ujit. Dhe këtë mundësi për tërë krahinën e Rrëzomës e krijon vetëm lumi i Kalasës. Shqetësimit të fermerëve iu është bashkuar edhe bashkia e Delvinës. Për kryetaren e Bashkisë Delvinë Mailinda Qylimi dhe drejtoritë përkatëse të bashkisë ky shqetësim është bërë i tyre. Ishte ky presion që më fund bllokuesit e lumit të Kalasës hoqën pritat dhe lumi nisë të rrjedhe në shtratin e tij!