Rama: Zhvillimi i turizmit në Përmet nga masat nxitëse dhe ‘Rilindja urbane’

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se këtë 10-vjeçar Shqipëria do të jetë një nga vendet më agroturistike të Mesdheut.

Në një bashkëbisedim me përfaqësues të operatorëve turistikë dhe agroturizmit të bashkisë së Përmetit,, Rama u ndal te ndryshimi shumë i rëndësishëm që ka ndodhur vitet e fundit në këtë qytet.

“Kemi rritje të qëndrueshme dhe vazhdueshme të kërkesës dhe ofertës në turizëm. Kemi një numër turistësh dhe vizitorësh që do të ishte komplet i paimagjinueshëm jo shumë vite më parë”, tha Rama.

Kryeministri kujtoi se si nisi ky rrugëtim në Përmet dhe se në çfarë gjendje depresioni dhe grije ndodhej qyteti.

“Vetëm legjenda e ‘qytetit të trëndafilave’ kishte mbetur. Nuk kishte vetëm një segment 100m të ecje pa qenë i detyruar t’i shmangeshe një grope, pa folur për ato pak struktura që mezi mbijetonin me një okupim shtretërish 10%, 15% apo edhe 5%. Sot jemi në një situatë krejt tjetër nëse krahasohemi me nga u nisëm. Jemi nata, sot dita, por nëse shikojmë ku duhet të mbërrijmë jemi akoma në të gdhirë. Ende nuk e kemi lënë natën pas në raport me ditën dhe dritën që duam për vendin tonë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se në Përmet po zhvillohet turizmi falë masave nxitëse dhe krijimit të kushteve që krijoi ‘Rilindja urbane’.

“E përqeshnin dhe përçmonin si fasadë por ajo ishte fillimi i hapjes së një dritareje për të parë të ardhmen”, tha Rama.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë të mbështesë të gjitha nismat në turizëm dhe agroturizëm fuqishëm.

“Sot, vetëm me pak vite pas kësaj politike të re për nxitjen e agroturizmit dhe mbështetjen e bujtinave të reja, transformimit të shtëpive të gjyshërve e stërgjyshërve në biznese, jemi në fillim të lulëzimit të një komponenti të ri të në turizëm”, tha Rama.