Konispol: I sëmuri me probleme të shëndetit mendor kërcënon familjen dhe fshatin Xarrë, shteti hesht!
Sonte në emisionin Fiks Fare u trajtua rasti i një të sëmuri me probleme të shëndetit mendor nga fshati Xarrë i Konispolit, i cili është kërcënim për familjen dhe fshatin.
Fiksi solli me zë dhe figurë sesi 41-vjeçari i sëmurë kërcënon me jetë të vëllanë,duke i thënë se do e zhdukë atë pa lënë gjurmë. Gjendja e padurueshme në familje dhe frika për jetën bëri që e ëma e të sëmurit t’i drejtohet emisionit Fiks Fare meqë shteti hesht dhe pse janë ankuar disa herë.
Ajo rrëfen se i biri vuan nga probleme të shëndetit mendor . Bëhet agresiv duke u kthyer në kërcënim serioz për familjen, por edhe për banorët e fshatit.
Nëna tregon se i ndjek me thikë në dorë dhe se vetë atë e ka goditur me çelës makine në kokë. Ajo duke qenë e frikësuar dhe e traumatizuar nga djali i saj mbyllet për ditë me radhë në dhomë.
Ka njoftuar shpesh herë policinë, por asnjë masë nuk merret. Nëna kërkon ndihmën e shtetit për ta çuar djalin e saj në ndonjë qendër rehabilitimi, pasi është kërcënim për familjen dhe shoqërinë.
Fiksi solli me zë dhe figurë sesi i sëmuri kërcënon vëllanë e tij, duke i thënë se do e vrasë dhe zhdukë dhe jo vetëm aq, por me këdo që është zënë thotë se do e vrasi.
Këtë e konfirmojnë edhe banorët e fshatit të cilët tregojnë se ndihen të kërcënuar me prezencën e tij.
Një prej tyre tregon se e ka parë të sëmurin lakuriq në varrezat e fshatit.
Gazetarët shkojnë të takojnë kryeplakun e fshatit, Vasil Xhai, por ai nuk pranon ndaj e telefonojnë. Ai thotë se personi në fjalë është problematik dhe se për të janë ankuar shumë banorë ,madje edhe ai vetë si kryeplak ka bërë ankesë, por nuk është gjetur zgjidhje.
Gazetarët marrin policinë e zonës.Ai tregon se e njeh rastin e ka shoqëruar të sëmurin edhe në spitalin psikiatrik të Vlorës por atje nuk e kanë mbajtur. Polici i zonës thotë se nëna e tij është ankuar se djali e ka goditur, por ajo nuk ka pasur shenja dhune!
Gazetarët e Fiksit flasin me mjekun psikiatër të Sarandës.Ai tregon se ky individ përbën rrezik “mund të kryej edhe krim” . Ndërkohë spitali psikiatrik Vlorë në një përgjigje zyrtare për emisionin Fiks Fare tregon se ky person është shtruar me dhjetëra herë në këtë spital ku ka marrë shërbim disa ditorë, ndërkohë herën e fundit është vlerësuar nga mjeku roje që nuk ka nevojë të shtrohet.
Ndërkohë i sëmuri është kthyer në tmerr jo vetëm për familjarët e tij, por dhe për banorët e tjerë. Institucionet ‘ lajnë duart’ se ende nuk ka ndodhur ndonjë krim. Po të ndodh do jetë gjykata ajo që vendos izolimin e të sëmurit.