Konispol, agrumet shqiptare dalin në treg, mes sfidash të prodhuesve
Shqipëria është një nga shtatë prodhuesit më të mëdhenj të agrumeve në Europë dhe zona e Konispolit në Sarandë është furnizuesi më i madh i tregut vendas dhe të disa nga vendeve të Ballkanit. Prodhimi këtë vit shihet i mbarë nga fermerët, por sfidat e tyre lidhen me vjeljen e prodhimit dhe gjetjen e tregut, sidomos të eksportit. Largimi të rinjve ka ulur fuqinë punëtore dhe shtimi i prodhimit nuk ka sigurinë e tregëtimit ndërkohë që këtë vit kostoja e prodhimit del më e lartë prej rritjes së cmimeve të karburantit dhe plehrave kimikë.
Në një peisazh mbresëlënës mandarinash, limonash dhe portokallesh në fushën e Konispolit fermerët kanë nisur të vjelin prodhimin e parë të këtij viti. Mjetet e vogla furnizojnë kamionët që vijnë nga Tirana.
Prodhimi këtë vit është i mbarë, thotë Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri.
Kjo zonë që përfshihet në qarkun e Vlorës shënon nivelin më të lartë të prodhimit të agrumeve në Shqipëri ku vitin e shkuar sipas të dhanve zyrtare u prodhuan rreth 30 mijë tonë, gati 6o% e prodhimit kombëtar të agrumeve.Ndërkohë Shqipëria prodhoi në vitin 2021 mbi 50 mijë tonë agrume dhe renditet sipas rrjetit europian të statistikave “Eurostat” e shtata në Europë.
Vetëm në Bashkinë e Konispolit janë mbi 800 ha të mbjella me agrume, thotë Zoti Beqiri, të cilat furnizojnë tregum vendas, atë të rajonit të Ballkanit dhe më gjerë.
“Janë gati mbi 800 hektarë të mbjella me agrume ku futet mandarina, portokallja dhe limoni. Ka filluar edhe shtrirja e kultivimit me drufrutorët e tjerë, sic është ulliri dhe shega. Ne furnizojmë tregun e vendeve të rajonit të Ballkanit, kemi eksporte në Ukrainë dhe disa nga vendet e Europës Lindore si Poloni dhe Çeki”, thotë ai. Grumbulluesit e agrumeve po nxisin partneritete si me tregëtarë vendas edhe të huaj. Entela Zote është një sipërmarrëse që merret prej 12 vitesh me agrume. Ajo thotë se kultivimi po shtohet, prodhimi po rritet dhe tani ankthi i fermerëve është për tërheqjen e agrumeve nga tregu.
“Duhet ndihmë për tërheqje të prodhimit. Cdo gjë është në rritje, fermerët e kanë këtë vit prodhimin me kosto shumë të lartë, krahasuar me vite e kaluara dhe janë të trembur pasi ende nuk e dinë se si do t`u ecë shitja e prodhimit të tyre”, thotë ajo.
Entela thotë më tej se ende fermerët nuk kanë kontrata të qëndrueshme me tregëtarët ndonëse vit pas viti ka interesime të reja nga sipërmarrjet për eksporte.
Në një plantacion me mandarina Aleksandër Rubija thotë se i mbolli fidanët dhjetë vite më parë dhe në vitin 2017 mori prodhimin e parë. Ai u kthye pas 18 vitesh në emigracion në Greqi dhe ka investuar rreth 300 mijë dollarë në këto vite për një sipërmarrje që bëhet sipas tij gjithnjë e më e vështirë.
“Këtë vit vështirësia kryesore është me gjetjen e punëtorëve për t`i vjelë agrumet thotë Aleksandri. Në këtë zonë punëtorët vinin më parë nga zona të tjera të Shqipërisë dhe punonin për rreth 20 dollarë në ditë në vjeljen e agrumeve. Por këtë vit telefonat e tyre nuk përgjigjen, ndoshta kanë ikur në Gjermani” , thotë Rubija. Edhe Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Shuaip Beqiri e gjen reale këtë vështirësi edhe prej një fakti jetër, pasi fermerët e zonës në një masë të madhe shkojnë në këtë sezon në zonat fqinje në Greqi për të vjelë agrumet atje ku pagesat ditore janë më të larta se në Shqipëri.
“Sivjet \besoj do ta kemi këtë problem pasi viteve të tjera nuk e kemi ndeshur pasi ka pasur punëtorë, jo vetëm nga zona, por edhe të ardhur nga rrethet e tjera. Sivjet e shoh se ka një tendencë rajonale sepse edhe Greqia është shumë e interesuar për punëtorët sezonalë. Ka rënë edhe tek bashkitë fqinje greke fuqia punëtore si tek Bashkia e Filatit apo Gumenicës dhe është rritur interesimi i tyre për të bërë kontrata me punëtorët që ne kemi këtu”, thotë zoti Beqiri. Një tjetër vështirësi thotë zoti Rubija janë kostot e këtij viti më të rritura se vitet e shkura nga rritja e cmimit të naftës dhe plehrave kimikë, por edhe dëmet nga fenomene natyrore si dëmet nga breshëri apo infeksionet ne pemtarinë.
“Kanë ardhur disa sëmundje të reja në pemëtari si pasojë e ndryshimit të klimës dhe kjo ka ndodhur për gjithë prodhuesit e mandarinës “Klementina” në Europë. Kjo na ka rritur kostot. Ne nuk kemi specialistë për të marrë rekomandime se si t`i luftojmë ato. Këtë vit patëm edhe dëme të mëdha nga breshëri dhe askush nga autoritetet e Bujqësisë nuk erdhi për t`i parë dhe vlerësuar dëmet”, thotë ai.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Konispolit thotë se qeveria ka mbështetur fermerët me sumbvensione dhe bashkia po shkon drejt ngritjes së një qendre të saj të grumbullimit të prodhimit.
“E para është ndihma që po bën qeveria në këtë sektor me sumbvencionimin e karburantit, plehrave kimikë, mekanikës bujqësore. E dyta është ndërtimi i tregjeve. Ne kemi aplikuar në ministrinë e Bujqësisë për të ndërtuar një treg . Janë pikat e grumbullimit private të tregëtimit por për të ndërtuar dhe një të bashkisë që të kemi një afrë rivaliteti”, thotë zoti Beqiri. Por procesi i tregëtimit të mandarinave duhet të ngrihet në nivel më të lartë në standartizimin e prodhimit dhe daljes së tij në eksport në vendet europiane, thotë kryetari i bashkisë së Konispolit. “Duhet të fillojmë të asistojmë fermerët për mënyrën e spërkatjes dhe trajtimit në përgjithësi të pemëve me qëllim që produkti të certifikohet. Po rritet sasia ndjeshëm dhe duhet të kemi mundësi nesër të rrrisim eksportin”, thotë zoti Beqiri. Në Shqipëri herë pas here zona bujqësore kthehen në epiqendra zhvillimi të produkteve, por më pas tregu i tërheqjes së prodhimit bëhet gjithnjë e më i vështirë duke i dekurajuar fermerët.
Ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë vitete fudnit pak masa për mbrojtjen e prodhimit vendas sfidat po rriten me migrimin masiv të banorëve dhe pamundësine për të gjetur krah pune për vjeljen e prodhimeve bujqësore.//VOA///