Drogë dhe shuma eurosh në makinën luksoze, arrestohen 3 persona nga Saranda në Tepelenë (EMRAT)

Me drogë dhe një shumë të madhe eurosh në automjet, arrestohen në flagrancë drejtuesi dhe 2 pasagjerët, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike. Sekuestrohen 18 520 euro, një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë e ftohtë (thikë), 8 aparate celulare dhe automjeti.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Transporter 3”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Fatjon Dule, 30 vjeç, Perikli Naçi, 23 vjeç dhe Vaso Mëkshi, 44 vjeç, të tre banues në Sarandë.

Në hyrje të qytetit të Tepelenës, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin V. M. dhe pasagjerë shtetasit Fatjon Dule dhe Perikli Naçi, në të cilin, gjatë kontrollit, u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, një armë e ftohtë (thikë), 8390 euro dhe 8 aparate celulare. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Perikli Naçi, u gjet një sasi tjetër lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, ndërsa gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Fatjon Dule, u gjetën 2140 euro.

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Vaso Mëkshi u gjetën 7990 euro. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 18 520 euro, arma e ftohtë, lënda narkotike, 8 aparate celulare dhe automjeti.Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.