Dita Botërore e të Moshuarve: Kristo Kiço dhe Majlinda Qilimi shtrojnë drekë, Gurma premton qëndrën e re ditore të trajtimit
Kryetari i Bashkisë së Finiqit, z. Kristo Kiço, sot më 1 tetor 2022, me rastin e “Ditës Botërore të të moshuarve” zhvilloi një takim modest, me respekt dhe nderim, kushtuar të moshuarve, në shënjë mirënjohjeje ndaj kontributit të çmuar që ata i ofruan vendlindjes sonë.
Duke shprehur ndjenjat e tij të sinqerta ndaj bashkëqytetarëve tanë, të cilët po e kalojnë moshën e tretë me krenari, duke dëgjuar shqetësimet e tyre në të gjitha nivelet.
Ai shtroi një drekë për të gjithë të moshuarit.
Edhe në Delvinë kryebashkiakja Majlinda Qilimi zhvilloi një takim me të moshuarit duke e vlerësuar këtë kategori maksimalisht.
“1Tetori, Dita Ndërkombëtare e të Moshuarve.
Muaj të mbarë e të begatë për të gjithë!
Le të udhëhiqemi e motivohemi çdo ditë nga urtësia e maturia e personave që i përkasin brezit të tretë.
Prej përvojës jetësore që ata mbartin në supe e shpinë, kemi se çfarë të mësojmë, ndaj prindërit, gjyshet e gjyshërit tanë, meritojnë vëmendje e kujdes, mirënjohje e respekt, dashuri e mbështetje nga të gjithë ne, në çdo ditë e në çdo kohë.
Janë vlerë dhe bekim!”, shkruan Majlinda Qilimi.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Sarandës teksa ka uruar të moshuarit në ditën e tyre, ka premtuar se së shpejti, Qendra Ditore e Trajtimit të të Moshuarve, rihapet me ambiente të rikonstruktuara dhe dinjitoz.
“Sot në Ditën Botërore të të Moshuarve, iu urojmë atyre, shëndet, mbarësi e ditë të bardha, si thinjat në flokët e tyre .
Së shpejti, Qendra Ditore e Trajtimit të të Moshuarve, rihapet me ambiente të rikonstruktuara dhe dinjitoze, falë bashkëpunimit me Qeverinë Italiane, nëpëmjet IADSA”, shprehet Gurma.