Blendi Klosi prezantohet në Vlorë
Blendi Klosi u prezantua këtë të martë në Vlorë si drejtues politik i Partisë Socialiste për këtë qark, pas largimit të Arben Ahmetajt nga ky post. “Besoj do të bëjë punët e mira të nisura për sa i përket mirëmenaxhimit dhe organizimit politik”, tha deputeti i qarkut, Damian Gjiknuri, i cili shoqëroi Klosin në prezantim.
I pyetur për mungesën e Arben Ahmetajt në Vlorë, Gjiknuri tha: “Për këtë është përgjigjur edhe kryeministri, janë lëvizje normale para fushatave zgjedhore, ku secili lojtar pozicionohet në vendin e tij në mënyrë që skuadra të japë maksimumin e vet. Ahmetaj është lajmëruar, por mesa di ka qenë i angazhuar me punë të tjera”.
Klosi ka qenë edhe më parë drejtues politik në Vlorë, në vitet 2007- 2009. “Për këdo është nder i madh të bësh jetën e partisë në Vlorë. Është përgjegjësi e shumëfishtë për të arritur të njëjtat rezultate që kjo parti ka arritur, që ka dëshmuar që gjithmonë ka dalë të jetë e suksesshme sepse ka qenë bashkë”, tha ai.
Klosi është pyetur për mungesën e Bashkisë sërish në këtë mbledhje. “Detyra jonë është të jemi bashkë me qytetarët. Mos u përpiqni të ndani popullin. Vlerësimi për gjithsecilin bëhet si u shërben qytetarëve. Shumë shpejt do të fillojmë procedurat për punën e kryetarëve të bashkive në të gjithë vendin”, shtoi Klosi.