Sarande, tri ditë me kineastë, kinema, muzikë dhe lojëra për fëmijë

Ashtu siç sezoni turistik vazhdon përtej kufijve stinorë, kanë vijimësi edhe veprimtaritë për publikun vendas dhe turistët. Në ditët e para të shtatorit, prej 2-4 shtator, Saranda dhe Ksamili u përfshinë në aktivitetet argëtuese, organizuar nga FSHZH, projekti PIUTD për zhvillimin urban e turistik, që patën edhe mbështetjen e Bashkisë së Sarandës dhe Kryetarit të saj, Adrian Gurma.

“Pruducers on the Boat”dhe “Movies on the Coast”, ofruan aktivitete argëtuese, për qytetarë vendas e turistë, kinema, muzikë dhe lojëra për fëmijë. Plazhi publik i Centralit në Sarandë u gjallërua nga lojërat e shumta në mbrëmjet e 2 dhe 3 shtatorit, ndërkohë që nga ekrani i kinemasë lëvizëse u shfaqën filmat “Streha mes reve” e “Zgjoi” dhe DJ Piko luajti muzikë pa pagesë për publikun në shetitore.

Bordi i anijes turistike “Si Saranda”, u bë vendi i takimit të publikut me kineastë elitarë e autorë filmash të ardhur në Sarandë nga disa vende të Europës dhe nga Ballkani, me plane krijuese dhe qëllime promovuese për Sarandën. Ishin të pranishëm përfaqësues të Departamentit të Kulturës, përfaqësues të Ambasadës së Francës.

Përfaqësues të industrisë së filmit nga Italia, Greqia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Në emër të Bashkisë, ata i përshëndeti Nënkryetari Romeo Çakuli.

Në ditën e tretë dhe të fundit, aktivitetet u zhvendosën në Butrint e Ksamil. Sheshi pranë lokalit “Ciao Italia” në Ksamil, ishte përzgjedhur për të ofruar aktivitete argëtuese për fëmijë, si dhe për koncertin muzikor “All in Band”, me pjesëmarrje të këngëtares Eranda Libohova, ndërkohë që më vonë atmosferën e elektrizoi DJ Piko.