Sarandë, ekspozitë pikture në shëtitore

Piktorja Adriana Puleshi nuk mund ta anashkalonte Sarandën nga turi i ekspozitës së saj lëvizëse nëpër bregdetin shqiptar.

Duke patur edhe mbështetjen e Bashkisë Sarandë, ekspozita e saj u vendos në segmentin e shetitores, përballë me Galerinë “Art-Saranda”, në mes të vendasve dhe pushuesve në shetitjet e tyre të mbrëmjes.

Atelieja e saj në natyrë tërhoqi vëmendjen dhe interesin e tyre, për t’u vizituar e për t’u bërë edhe blerës, pasi Adriana Puleshi spikat si piktore e emocioneve të ngjyrës.

Ekspozita e saj, e shtrirë në kohë nga 29 gushti-në 2 shtator, përbëhej nga 70 punime në pikturë, në teknikën e ngjyrave akrilike.

Arti i saj frymëzohet dhe promovon traditën e kostumeve nga të gjitha trevat e Shqipërisë e në veçanti nga trevat e Sarandës.

Për 5 mbrëmje radhazi ekspozita e Adriana Puleshit pati vizitorë të shumtë, mes të cilëve edhe pushues nga vende të ndyshme të botës, që vazhdojnë turet e pushimeve në Sarandë.

Mjaft prej tyre shprehën konsiderata për anën koloristike dhe për harmoninë e ekspresivitetin e veçantë të shprehjes.