PROFIL: Fatos Malaj nga Delvina, një histori suksesi në Greqi

Fatos Malaj lindi më 12 tetor 1969 në Delvinë, ku dhe mbaroi shollën e mesme me rezultate të shkëlqyera duke përfituar edhe Bursë nga Instituti Shtetëror i Bursave për Rezultatet e Shkëlqyera.

Si shumë të rinj edhe Fatosi vendosi që karrierën e tij profesionale ta ndërtojë përtej kufijve. Vendi i realizimit të ëndrrës së tij ishte Athina. Dhe për këtë plotësoi edukimin arsimor; kreu studimet në Qëndrën e Formimit Profesional Olympiaki Ekpedevtiki dhe mbrojti diplomën e Formimit Profesional si Ndërmjetës Ndërkulturor (Intercultural Mediator) me temën “Përforcimi i suksesit të politikave për promovimin Ndërkulturor në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në institucionet shtetërore”; vijoi në Qendrën Arsimore Akmon dhe mori diplomën për Ndërmjetësi Ndërkulturor (Intercultural Mediator); më pas kreu specializimin në Fushën e Kërkimit Shkencor mbi Emigracionin në Universitetin Harokopio të Athinës.

Fatosi është njohës i tre gjuhëve shqip, greqisht, anglisht. Ai është ekspert në fushën e të drejtave të emigrantëve që banojnë legalisht në Greqi, por edhe të të huajve me statusin e emigrantit, për sa i përket të drejtës së tyre për të punuar, arsimuar, të drejtën shëndetësore etj.

Fatos Malaj është anëtar në shumë organizata dhe institucione për të drejtat e njeriut: Anëtar i Sektorit të të Drejtave të Njeriut dhe të Politikave të Emigracionit të partisë Pasok; anëtar i Këshillit të Integrimit të Emigrantëve, Athinë; themelues dhe drejtor i Organizatës Jo-Qeveritare “Arogi-Përkrahje”; anëtar i Këshillit të Integrimit të Emigrantëve, Koridallo; një nga themeluesit e Lëvizjes për Zhvillimin e Qytetarëve, Koridallo-Nikaia; bashkëpunëtor i Kryetarit të Bashkisë Nikaia-Rendi në fushën e Emigracionit; një nga themeluesit dhe Kryetar i Shoqatës të Emigrantëve Shqiptarë në Aspropyrgo; anëtar i Grupit të të Drejtave të Njeriut- PASOK; zëvendës-kryetar i Shoqatës Kulturore të Emigrantëve Shqiptarë në Greqi.

Gjithashtu z. Malaj është Kërkues Shkencor në Universitetin e Egjeut “ICAP”; Kërkues Shkencor në Lobin Evropian të Gruas; Kërkues Shkencor në Universitetin e Athinës “Kapodistriako”, Fakulteti i Shkencave Politike dhe i Menaxhimit të Sektorit Publik; Kërkues Shkencor në Universitetin Harokopio, Athinë.

Me një përvojë të gjatë si Ndërmjetës Ndërkulturor dhe specialist për emigracionin, Fatos Malaj nuk ka nguruar të bëhet edhe pjesë e politikës greke. Ai ka qenë kandidat për Këshillin Drejtues të partisë së Pasok-ut për njësinë nr.3/Athinë (Kryetar Këshilli); kandidat për Deputet me partinë Kinima Allagis-Pasok (përfaqësues në parlamentin grek); këshilltar në Zyrën politike të nën kryetarit të parlamentit grek Grigoris Niotis (ekspert për çështje të emigracionit); koordinator-përgjegjës në partinë e Pasok-ut (koordinimi i veprimeve dhe komunikimi midis Partisë Socialiste shqiptare në Greqi dhe Pasok); këshilltar në Zyrën politike të Kryetarit të PASOK-ut Giorgos Papandreu (ekspert për çështjet e emigracionit); punonjës në Sekretariatin e Përgjithshëm për Arsimimin e të Rinjve (bashkëpunim për organizimin dhe zbatimin e programeve mësimore të gjuhës greke dhe historisë për gjeneratën e parë të emigrantëve shqiptarë në rajonin e Atikës Perëndimore).

Duke qenë një njohës profesionist i kulturave të vendeve të ndryshme, z. Malaj me vizionin e tij politik ka shpalosur një sërë propozimesh për fuqizimin e procesit integrues të komuniteteve emigrante në vend, si dhe përmirësimin e ndjeshëm të kushteve të jetesës për mbarë popullin grek, në periudhën pas krizës. Ai ka luajtur një rol të madh në ndërhyrjen efektive në mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve në Komitetet e Parlamentit Grek. Ky i fundit mori parasysh propozimet e bëra nga z. Malaj dhe i përfshiu ato në legjislacionin përkatës, konkretisht: shtesa të nenit që siguron leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme për ata të huaj që janë prindër të fëmijëve të lindur në Greqi/njëri nga bashkëshortët banon përgjithmonë dhe legalisht në Greqi.

Do të mbeten gjatë në kujtesë fjalimet e Fatos Malajt për të drejtat e emigrantëve. Veҫojmë këtu fjalimin në emër të Organizatës Arogi para Parlamentit Grek gjatë miratimit të Ligjit 4332/2015 në lidhje me ndryshimet në Kodin e Shtetësisë Greke, si dhe fjalimin përpara Komitetit të Përhershëm të Administratës Publike dhe Rendit Publik të Parlamentit Grek për diskutimin e projekt Ligjit 4540/2018.

Angazhimi profesional dhe politik nuk e kanë penguar atë të jetë një aktivist i zellshëm në veprimtaritë vullnetare. Si ndërmjetës ndërkulturor në shërbimet përkatëse në të cilat ka punuar dhe si President i Organizatës së Emigrantëve “Arogi” e cila mbron dhe promovon të drejtat e Emigrantëve pavarësisht nga origjina e tyre, Malaj gjithmonë ndihmon dhe ndikon në integrimin e suksesshëm të emigrantëve, alogjenë dhe të huaj, në shoqërinë greke dhe në përqafimin e kulturës greke, por edhe në përpjekjet për organizimin dhe mobilizimin midis organeve që mbrojnë të drejtat dhe integrimin e emigrantëve.

Fatos Malaj i përket atij grupi të komunitet shqiptar që aftësitë e veta profesionale i vendos në shërbim të shoqërisë dhe nevojave të saj, në ndërtimin e komuniteteve më kohezive në nxitjen e besimit më të madh mes qytetarëve dhe zhvillimin e normave të solidaritetit dhe reciprocitetit, të cilat janë thelbësore për një komunitet të qëndrueshëm.