“Plagosi dy vëllezër dhe bridhte i lirë”, si prokuroria e Sarandës mbron autorin
Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës veprimet e Policisë dhe Prokurorisë së Sarandës, të cilat lejonin një person me precedentë të shumtë penalë të lëvizte i lirë në qytet.
Megjithëse ndaj një 43-vjeçari rëndonin disa akuza, nga shpërndarja e lëndëve narkotike, plagosja e dy vëllezërve apo edhe vjedhja, këto organe justifikoheshin se kishin dhënë “leje” të posaçme për këtë person. Por, në fakt, ndaj këtij personi s’kishte asnjë leje! Nga informacionet e emisionit investigativ rezultoi se Ibrahim Duda kishte mbi shpinë masën e sigurisë arrest shtëpie dhe duhet të qëndronte në banesë. Por, Ibrahimi lëvizte lirisht, sa në lagje, plazh apo në gjithë Sarandës. Megjithëse babai i dy të plagosurve denoncoi në polici këtë thyerje mase sigurie, organet ligjzbatuese u justifikuan se “ka leje nga prokurori”. Por, disa ditë pas interesimit të Fiks Fare, Policia e Sarandës e arrestoi në flagrancë Ibrahimin duke vjedhur një dyqan bizhuterish dhe duke thyer masën e sigurisë!
Në redaksinë e emisionit Fiks Fare u ankua një qytetar nga Saranda, i cili tregoi se në muajin prill të vitit 2022, në qytetin e Sarandës i janë plagosur dy fëmijë. “Autorët janë dy vëllezër Mariel dhe Ibrahim Duda. Për Marielin nuk ka asnjë akuzë, ndërsa Ibrahimi akuzohet për plagosje. Ibrahimi u dorëzua 40 ditë pas ngjarjes. Qëndroi disa javë në burg, ndërsa u lirua në mes të muajit gusht.
Prokuroria kërkoi ndryshim mase sigurie, nga arrest me burg në arrest shtëpie” tregon qytetari, ndërsa saktëson se familja e tij nuk është lajmëruar për këtë masë sigurie. “S’na thirri njeri. Djali im është qëlluar 4 herë me thikë. Madje, plagën e ka pasur deri në cipën e mushkërisë. Ka marrë ajër mushkëria dhe ka qëndruar në spital 10 ditë. Më pas, për 3 muaj qëndroi pa lëvizur në banesë” thotë qytetari, i cili pohon se nuk e kuptoi këtë ndryshim masë sigurie.
“Mirë që ia ndryshojnë, po autori rri gjithë ditën jashtë banese. Provokon djemtë e mi. Rri në lokale, në plazh. E kemi denoncuar në datën 31 gusht 2022 se qëndron jashtë banese. Ka ardhur patrulla dhe e ka marrë, po sërish lihet i lirë” pohon ai. Pas denoncimit, Fiks Fare shkoi në lagjen ku qëndron autori, Ibrahim Duda. Ibrahimi, megjithëse është me precedentë penalë dhe duhet të qëndrojë me masën e arrestit shtëpiak, ai lëviz i lirë. Por, Fiksi e filmoi teksa ai qëndron jashtë banese, ndërsa sapo shikon se po e filmojnë ndjek të gjithë personat. Pas këtij konstatimi, denoncuesi dhe gazetarët e Fiksit shkojnë dhe interesohen në Policinë e Sarandës, nëse e kanë proceduar sërish pas datës 31 gusht kur është ndaluar dhe shoqëruar pasi ishte jashtë banese. Punonjësit e policisë i thonë se e kanë shoqëruar më 31 gusht, por për më shumë duhet të pyesni në prokurorinë e Sarandës.
Fiksi shkon dhe interesohet edhe në akuzën e Sarandës. Por, megjithëse ishte ditë pune, asnjë prokuror nuk ndodhej në atë organ akuze. Qytetari dhe gazetarja e Fiksit bisedojnë me një sekretare qe u tha se dosjen se merrnin dot se prokuroria e ka dërguar në gjykatë dhe do kohë.
Qytetari e pyet se e kanë denoncuar autorin Ibrahim Dudën se ka thyer masën e sigurisë. Ndërkohë, sekretarja i thotë se është bërë një shenjë në dosje që ka dalë, por ka pasur urdhër nga prokurori që ta mbikëqyrnin. Qytetari i thotë se personi del përditë, ndërsa sekretarja i thotë se nuk ka informacion, e di prokurorja qe ka çështjen. Pavarësisht kësaj përgjigjeje, disa ditë pas interesimit të Fiks Fare, Policia e Sarandës doli me një njoftim, ku personi në fjalë ishte arrestuar.
“Vodhi një shumë parash dhe bizhuteri, në një dyqan, arrestohet në flagrancë 43-vjeçari, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin I. D., 43 vjeç, banues në Sarandë, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Vjedhja”. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka vjedhur një shumë parash dhe bizhuteri, në një dyqan, në lagjen nr.4, Sarandë. Pas verifikimeve ka rezultuar se ky shtetas ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, duke dalë jashtë banesës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale” thuhej në njoftimin e policisë.
Pra, bëhet fjalë për të njëjtin person, Ibrahim Dudën. Qytetari e denoncoi disa herë për thyerje të masës së sigurisë, por policia dhe prokuroria nuk vepruan. Deri sa, i njëjti person, me precedentë të shumë penalë, të kryente një vepër tjetër penale. Megjithatë, duke parë vendimmarrjet e këtyre organeve, shumë shpejt pritet që 43 vjeçari të lirohet, deri në ngjarjen e radhës.