Gjirokaster, “Divani lunxhot” prezanton vlerat e folkut dhe etnografisë
Edicioni i 8-të i festivalit folklorik “Divani lunxhot” ka mbledhur së bashku rreth 120 artistë popullorë jo vetëm nga Shqipëria, të cilët prezantuan vlerat më të arrira të folkut dhe etnografisë.
Festivali u organizua për dy netë me radhë në fshatin Dhoksat, Njësia Administrative Lunxhëri dhe Pazarin karakteristik të Gjirokastrës.
Ky aktivitet u mundësua si bashkëpunim i Bashkisë Gjirokastër me Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Qarkut.
Pjesëmarrës në të ishin 12 grupe dhe ansamble të këngës popullore nga zona të ndryshme të vendit si: grupi polifonik “Ergjëria”, “Djemtë e Sarandës”, “Bijtë e Tepelenës”, grupi popullor “Krojet e Velçës”, “Nektari i polifonisë”, ansambli “Lunxhëria”, orkestrina popullore Ersekë si dhe grupe të ardhura nga Greqia.
Në ndryshim nga edicionet e kaluara, nata e parë e festivalit u shfaq në skenën artistike në fshatin Dhoksat ndërkohë që më pas organizimi vazhdoi në mjediset karakteristike të Pazarit të gurtë të Gjirokastrës.
Falë prezantimit artistik cilësor të këngëtarëve dhe valltarëve popullorë “Divani lunxhot” tërhoqi vëmendjen e artdashësve të polifonisë dhe këngëve popullore, specialistëve të folkut por edhe turistëve të shumtë, të cilët ndoqën me mjaft interes interpretimin e folkut dhe prezantimin e etnografisë dhe traditës popullore.
Ky organizimin u vlerësua dhe nga rreth 50 studiues dhe akademikë vendas dhe të huaj, pjesëmarrës në Konferencën e 50-të Botërore të Baladave që po zhvillohet aktualisht në qytetin e gurtë.
Sipas kryetarit të bashkisë, Flamur Golemi, “Divani lunxhot” shërben si një gjerdan vlerash natyrore, traditës, trashëgimisë kulturore dhe turistike për krahinën e Lunxhërisë dhe më gjerë.
“Rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Lunxhëri dhe bashkinë e Gjirokastrës në tërësi ka edhe mbështetja dhe promovimi i vlerave të traditës, kulinarisë dhe veçanërisht folklorit dhe etnografisë të pasur”, shprehet kryebashkiaku Golemi.
Përgjatë sezonit të verës, bashkia Gjirokastër ka organizuar aktivitete të larmishme, duke ndikuar në zhvillimin e turizmit dhe transmetimin e traditave dhe vlerave tona kombëtare tek brezat e rinj.