Delvinjoti Ardi Veliu është zyrtarisht drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, është emëruar si drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Prezantimi i tij para punonjësve në postin u ri u bë këtë të premte sipas një njoftimi nga ky institucion.
Deri në ditën e fundit të gushtit, Veliu mbante postin e zëvendësministrit të Energjetikës. Por u shkarkua nga detyra për t’u emëruar në një detyrë të re.
Në krye të AMP-së Veliu zëvendëson Muhamet Rrumbullakun.
NJOFTIMI i AMP-së
U prezantua sot Drejtori i ri i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Ardi Veliu, i cili zëvendëson në këtë post zotin Muhamet Rrumbullaku.
Ish-Drejtori Rrumbullaku drejtoi Agjencinë me rezultate të larta në një proces reformimi, duke u shndërruar në një strukturë më civile në ushtrimin e kontrollit dhe mbikëqyrjen e Policisë së Shtetit, Gardën e Republikës dhe Shërbimin Zjarrfikës.
Falë punës këmbëngulëse dhe intensive të AMP nën drejtimin e z. Rrumbullaku, Agjencia ka kaluar përmes një procesi transformues duke u shndëruar në pararojë e zbatimit të ligjit në kuadrin e goditjes së fenomeneve negative si paligjshmëria dhe korrupsioni në rradhët e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Rezultatet e arritura nga AMP gjatë kësaj periudhe, e kanë bërë Agjencinë një nga institucionet më të mbështetura nga publiku sa i përket reagueshmërisë dhe zbatimit të ligjit.
Drejtor Veliu emërohet në krye të AMP pas një përvoje të gjatë menaxheriale në strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe detyrës si zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai u angazhua për vijimin e punës, në thellimin e reformave të nisura.