Bajpasi i Gjirokastrës, më shumë hapësira për këmbësorët dhe eventet
Në Gjirokastër vijojnë me ritme të larta punimet për ndërtimin e bajpasit, i cili do të përmirësojë qarkullimin e automjeteve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky bajpas, i cili do të sjellë një vlerë të shtuar për qytetin.
Kumbaro tha se në kantierin e bajpasit të Gjirokastrës, po punohet çdo ditë për projektin që do t’i japë frymëmarrje qendrës historike.
“Ky projekt do të krijojë më shumë hapësira për këmbësorët, për eventet e organizimet, që janë gjallëria turistike e Gjirokastrës dimër e behar”, tha Kumbaro.
Projekti i shumëpritur ndikon në mënyrë direkte rreth 4400 banorë, përpos numrit gjithnjë e në rritje të vizitorëve, duke rritur gjithashtu sigurinë dhe funksionalitetin në shërbim të komunitetit. Ndërhyrja mbron dhe nxjerr në pah vlerat e zonës historike.
Ndërtimi i Bajpasit është pjesë e një “ansambli arkitekturor” që po realizohet bashkë me projekte të tjera në zbatim nga FSHZH si sheshi “Çerçiz Topulli”, Sistemi i Muzeve dhe Restaurimi i Shtigjeve përgjatë tyre, hapësirat mbështetëse dhe godina e parkimit.
Bajpasi do të zgjidhë problemin e trafikut në Pazarin e Gjirokasrës duke e shndërruar atë në një zonë për këmbësorët, pa cënuar autenticitetin dhe karakterin e zonës së ndërhyrjes.