Qytetarët për bajpasin i Vlorës: Shkurton distancën me të gjitha destinacionet e jugut
Bajpasi i Vlorës, një segment kyç për turizmin bregdetar ofron tashmë edhe një panoramë fantastike të gjirit të Vlorës.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot opinionet e qytetarëve për këtë rrugë të re, që po ndikon ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës.
“Është fantastike, duhet të kesh qenë dëshmitar okular, qytetari i Vlorës, që të shikojë atë kaos të vërtetë që krijohej nga kamionat e tonazhit të rëndë në qytet. Nuk arrije do të dërgoje dot një të sëmurë në spitalin e Vlorës. Është një gjë pozitive që na ka ardhur në ndihmë ky lloj investimi”, thekson një qytetar.
Një qytetare shprehet se “përveç se është një rrugë panoramike na ka shkurtuar shumë distancën për të shkuar në të gjitha destinacionet e jugut. Është një rrugë që na ka ndihmuar shumë se përveç se arrijmë shpejt në destinacionet e jugut edhe kur jemi në qytet e ndiejmë më të lehtësuar trafikun se jo vetëm vlonjatët, por edhe ata që vijën për pushime kalojnë nga bajpasi. Ua rekomandoj të gjithëve të kalojnë në këtë rrugë”.
Një qytetar thekson se punoj nëpër fshatra dhe kjo rrugë është një zgjidhje e vërtetë, duhej bërë vite përpara.
“Na ka zgjidhur shumë punë”, shprehet një qytetar.
Bajpasi me gjatësi 29 km nis nga rrethrrotullimi në fund të autostradës Levan-Vlorë. Rruga anashkalon Kaninën në pjesën perëndimore mbi Vlorë, në një nivel rreth 300 m nën kështjellë, nga ku ofron pamje spektakolare përgjatë gjirit të Vlorës.
Në çdo 1.5 kilometra të kësaj rruge është parashikuar vendpushim për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit evropian.