Burg dy vëllezërve që vranë 41-vjeçarin në Sarandë
Gjykata e Sarandës ka lënë në burg pa afat dy vëllezërit Xhoi dhe Xhanelo Tarja, të cilët akuzohen për vrasjen e 41-vjeçarit Klodian Bakiaj.
Ata janë shfaqur në sallën e gjyqit me lot në sy. Të dy të rinjtë që punonin si kamarierë do të akuzohen për vrasje me dashje dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Për këtë krim u vu në pranga edhe administratori i hotelit në Sarandë, Genci Ahmeti 41 vjeç, ku punonin të dy vëllezërit, pasi tentoi të fshihte ngjarjen.
Vrasja e 41-vjeçarit Klodian Bakiaj nga Tepelena ndodhi pas një sherri për një vend parkimi pranë hotelit. 41-vjeçari u godit me thikë në zemër, i cili ndërroi jetë në Spitalin e Sarandës.