Aksident pranë rrugës Kardhiq-Delvinë, 4 të plagosur në spitalin e Gjirokastrës

Një aksident automobilistik ka ndodhur pasditen e sotme pranë kryqëzimit të rrugës Kardhiq-Delvinë. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë janë lënduar lehtë 4 persona.

Nga të dhënat e para dyshohet se aksidenti është shkaktuar për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia ka shpërndarë një informacion paraprak për mediat.

Rreth orës 19:05, në rrugën nacionale Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur “Ura e Kardhiqit”, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin E. D., 38 vjeç, banues në fshatin Hormovë, Tepelenë, është përplasur me automjetin tip “Opel” me drejtuese shtetasen M. D., 42 vjeçe, banuese në Gjirokastër.

Për pasojë kanë marrë dëmtime 4 pasagjerët që ndodheshin në automjetin tip “Benz”, të cilët u transportuan për të marrë ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.